Lajme

Në qytetet zvicerane, protesta kundër masave shtrënguese

Protestuesit, ndër të tjera kanë bërë thirrje që të hiqen masat e urgjencës. Në pankarta mund të lexohet "Vetëvendosje", "Liri" dhe "Të drejtat themelore"

Në Sechseläutenplatz në qytetin e Cyrihut, janë mbledhur të shtunën mbi njëqind persona për të demonstruar kundër bllokimit. Policia është vendosur në vendin e ngjarjes me disa makina patrullimi. “Një operacion përkatës po zhvillohet në Sechseläutenplatz afër Bellevue, tha një zëdhënës i policisë së qytetit të Cyrihut për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA, transmeton albinfo.ch.

Protestuesit, ndër të tjera kanë bërë thirrje që të hiqen masat e urgjencës. Një fotografi tregon një grua me një çadër ku mund të lexohet “Vetëvendosje”, “Liri” dhe “Të drejtat themelore”.

Sot, rreth orës 10:30 të paradites në sheshin Vadian, në  St. Gallen ishin tubuar rreth 80 veta për të protestuar kundër masave të Këshillit Federal për të luftuar koronavirusin. Duke vepruar kështu, ata kanë shkelur rregulloren e Këshillit Federal, e cila ende parashikon distancën prej dy metrash mes njerëzve si dhe ndalimin e aktiviteteve, raporton Policia e Qytetit St. Gallen.

Për më tepër, një aksion si ky do të duhej të kërkonte paraprakisht leje edhe po të mos ishte në fuqi rregullorja për COVID 19.

Kalimtarë të ndryshëm kanë vëzhguar aksionin përpara se policia të ndërhynte dhe t`i largonte protestuesit nga sheshi, përcjell albinfo.ch. Shpërbërja e protestës ishte paqësore ndërsa u janë marrë të dhënat personale rreth dhjetë protestuesve më aktivë.

Në Bernë pasditen e sotme, janë mbledhur grupe protestuesish në sheshet Bärenplatz dhe në Waisenhausplatz. Policia u ka bërë thirrje rreth 100 protestuesve në Bernë që të shpërndaheshin. Përgjigja ishte një koncert fishkëllimash, njofton agjensia e lajmeve Keystone-SDA. Shumë nga pjesëmarrësit bartnin pankarta me parulla të tilla si “Liri Po – Kufizime Jo”.