Gjuha

Nga Kuvendi i LAPSH-it “Naim Frashëri” në Zvicër

 

Në punimet e kuvendit, që pati një rrjedhje të natyrshme e të qetë, morën pjesë 56 persona, anëtarë të LAPSH-it dhe mysafirë.

Të pranishëm qenë përfaqësues të institucioneve shtetërore në mesin e të cilëve: Kastriot Noli – sekretar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bernë, Mustafë Xhemajli, ushtrues detyre i funksionit të ambasadorit në Ambasadën e Republikës Kosovës në Zvicër, Nuhi Gashi, përgjegjës për koordinimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë –MASHT Republika e Kosovës dhe Shukrije Ramadani, ushtruese detyre e Qendrës Kulturore në Cyrih.

Ata i përshëndetën mësimdhënësit e shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër për punën e tyre të madhe me flijime jo të vogla që kanë bërë ata për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe, për të dëftuar me dashuri identitetin dhe dinjitetin kombëtar, duke mbjellë tek fëmijët tanë, krahas dijes themelore për gjuhën amtare dhe kulturën tonë edhe dashurinë për atdheun.

Programi filloi me një pjesë artistik të përgatitur nga Arbëresha Ibrahimi, mësuese e mësimit plotësues në Soloturn, me nxënës të saj.

Nexhat Maloku, kryetar, lexoi dhe shpërndau raportin njëvjeçar të veprimtarisë së LAPSH-it shtator, 2014/2015. “

“Puna jonë është përqendruar kryesisht në organizimin dhe funksionimin sa më efikas të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër. “, tha Maloku.

Për të arritur qëllimin e mësipërm, sipas tij, kryesia kreu një mori veprimtarish si: 1. Mbajti Seminar tre ditorë për ngritje profesionale të mësimdhënësve. 2. Pjesëmarrje në Konferencën e përbashkët arsimore zvicerane – shqiptare me temë  “Kontributi i mësimit plotësues shqip në përmirësimin e orientimit midis kulturës së parë, të dytë dhe interkulturës” mbajtur më 7-8 maj 2015, Cyrih. 3. Bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash me mësuesit shqiptarë të Londrës, në Cyrih. 4. Mbajtja e garave të diturisë 2015 në Vindish- Arau. Grupi i nxënësve fitues me mësimdhënës mori pjesë në mbrëmjen finale të Konkursit të Diturisë me moton “Ta njohim atdheun” në Prishtinë më 25 korrik ’15. 5. Aktiviteti “jashtë mësimor” – por i bashkërenduar me atë shkollor. 6. Aktivizimi i faqes së LAPSH-it në internet: www.lapsh.ch administrohet falas nga z. Lulzim Hasi, dhe pasurohet po ashtu vullnetarisht nga mësimdhënës tjerë. 7. Tekstet mësimore Shkolla shqipe vazhdimisht po furnizohet me Fletoret tematike nga Ministria Arsimit në bashkërendim me Ministrinë e Diasporës dhe shpërndahen falas tek të gjithë nxënësit, është përmirësuar dukshëm mësimdhënia dhe mësim nxënia. 8. Për të përmbushur nevojat e mësimdhënies në gjuhën e prejardhjes prof dr dr Basil Shader qe dy vjet udhëheq projektin Materiale didaktike për mësimdhënie në gjuhën e prejardhjes, përbëhet nga doracaku dhe pesë broshura, fillimisht do të botohet në gjermanisht, por do të përkthehet edhe në shqip dhe në disa gjuhë tjera. Bashkëpunimi me institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës ka vazhduar edhe gjatë këtij viti.

Bashkëpunimi me institucionet arsimore zvicerane gjithashtu ka qenë mjaftë i frytshëm. Të gjitha këto aktivitete janë realizuar falë punës sonë të përbashkët të anëtarëve të LAPSH-it të prindërve e të individëve andaj sot ne mund të festojmë 25 vjetorin e LAPSH-it në Zvicër. Raportin financiar e paraqiti Nezir Mehmetaj, arkëtar.

Përshëndeti të pranishmit dhe në veçanti përfaqësuesit e institucioneve nga Kosova. Raporti u është shpërndarë të pranishmëve së bashku me raportin e punës. Në kuvend nuk morën pjesë përfaqësues të mësimit plotësues të Gjenevës dhe Shafhauzenit.

Duke marrë shkas nga Kuvendi i LAPSH 2015 në Zvicër mësimdhënësit ftojnë të gjithë prindërit shqiptarë të mbështesin zhvillimin e mësimit plotësues shqip. Mësimi i gjuhës amtare ia vlen të investosh. Pjesa më e madhe e fëmijëve nuk flasin shqip. Fakti që arbëreshët kanë ruajtur gjuhën shqipe për 500 vjet me radhë duhet të na bëjë të ndërgjegjësohemi për rrënjët tona, të bindim fëmijët për vlerat dhe pasurinë e shqipes. Kemi alfabetin më të pasur nga gjuhët indoevropiane (36 tinguj të shënuar me po aq shkronja) ndaj mund të shqiptojmë lehtë e pastër gjuhë të ndryshme.

Sa për zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe jashtë atdheut edhe një herë kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës të na përkrahin në përpjekjen tonë me një program unik në mënyrë që mësimi i gjuhës amtare të jetë gjithëpërfshirës dhe me një pedagogji të përsosur.

 

(Fotografitë Ludvik Kabashi)