E-Diaspora

Një mbrëmje e ngrohtë me artistë shqiptarë në Cyrih

Fjala e shkruar, poezia e proza krahas fotografisë artistike kishin bërë bashkë disa dhjetëra dashamirës të artit, në mbrëmjen kulturore të emërtuar “Rrëfime përmes fjalëve dhe fotografive” të mbajtur të shtunën në Cyrih

Shkrimtarja nga Shqipëria, me qëndrim prej vitesh në Itali, Irma Kurti dhe fotografisti nga Kosova, Sevdail Sulejmani, i cili ka tridhjetë vite që jeton në Zvicër, me një rreth miqësh të tyre, kanë organizuar të shtunën që shkoi një mbrëmje simpatike në një ambient të këndshëm të shtëpisë “Karl der Grosse” në qytetin e vjetër të Cyrihut.

Mbrëmjen e ka moderuar, duke u shtruar pyetje dy artistëve, gazetarja e Radio Kosovës, Vera Pelaj, e ardhur nga Prishtina. Ndërsa këtë aktivitet e ka nderuar me praninë e tij aktive, shkrimtari i njohur Agim Gjakova, i ardhur po ashtu për këtë rast, nga Kosova, shkruan albinfo.ch. Ai ka folur për veprën e të dy artistëve, duke u ndalur më tepër te krijimtaria e fotografistit, Sevdail Sulejmani, për të cilën ka shkruar edhe një vështrim më të zgjeruar që u lexua edhe me këtë rast para publikut.

“Sevdail Sulejmani nuk ka studiuar për fotografimin, nuk është marrë me procesin e konceptimit gjeometrik të realitetit, nuk i ka shkuar dhe ska pasur asnjëherë ndërmend të njohë konceptin regjizorial të vendosjes së figurave njerëzore përpara objektivit të aparatit fotografik. Të gjitha këto ai i ka në intuitën e tij, në prirjen e lindur, në talentin për ta parë botën e tërësishme në bukurinë e saj, në mirësinë e saj, në ecurinë kohore të saj”, shkruan veç tjerash prof. Gjakova në vështrimin e tij.

Irma Kurti ka prezantuar këtu romanin “Njeriu që fliste me pemët” dhe përmbledhjen me poezi “Il sole ha emigrato” (Dielli ka emigruar).

Ajo, duke iu përgjigjur pyetjeve të moderatores, ka theksuar se shkrimin e ka pasion që nga fëmijëria. Ka filluar në ish “Shtëpinë Pionierit”, në qytetin e Elbasanit ku ajo jetonte atëbotë dhe ka vazhduar kur ka kaluar në Tiranë si studente, shkruan albinfo.ch. Nga kjo kohë pastaj lindin edhe bashkëpunimet e saj të para me këngëtarë e kompozitorë, pasi që Kurti tashmë ishte orientuar më tepër në krijimin e teksteve të këngëve.

Krahas teksteve të këngëve, ajo ka krijuar edhe poezi, të cilat i ka përmbledhur në një numër të madh vëllimesh poetike. Ndërsa si formë më të re të shprehejs së saj artistike, Kurti ka zgjedhur viteve të fundit edhe prozën. Ka botuar tashmë dy romane ndërsa është para botimit të edhe një romani në gjuhën italiane, ka thënë ajo.

Për dy veprat e saj në prozë, Irma Kurti është frymëzuar nga nëna dhe nga babai, tashmë të dy të ndjerë, shkruan albinfo.ch. Ajo thotë se romanin e parë e ka shkruar e nxitur nga dhembja që kishte përjetuar pas vdekjes së të ëmës ndërsa të dytin, mbështetur në ditarin që kishte mbajtur babai.

Kurti tha se vazhdon të shkruajë tekste këngësh dhe se ka pasur edhe kohëve të fundit bashkëpunime me këngëtarë e kompozitorë në Shqipëri.

Ndërsa Sevdail Sulejmani është shprehur se me fotografinë ka filluar të merret në mënyrë më serioze vetëm viteve të fundit. Ai tha se gjithmonë ka pasur interesim për artet dhe madje ka bërë edhe skica vizatimesh por të gjitha ato i ka mbajtur për vete. Por fotografimi ka nisur t`i shndërrohet në pasion fillimisht si element shoqërues i pasionit të tij tjetër, më të hershëm: ecjes nëpër male, eksplorimit të natyrës.

Për të “ndalur kohën” gjatë këtyre ecejakeve të tij maleve, kryesisht të Zvicrës, Sulejmani ka përdorur kamerën. Dhe kështu ka zbuluar te vetja e tij edhe një prirje të re, atë të fotografimit artistik.

Përveç pamjeve magjepse të natyrës, ai në objektivin e tij kap gjithnjë më shumë edhe portretet, fytyrat njerëzore. Sylejmani thotë se e tërheqin shumë shprehjet karakteristike të fytyrave dhe i fotografon ato kur ka mundësi, ndonëse, siç shton ai, vazhdon të ketë ngurrim për t`iu qasur njerëzve që do t`i fotografonte me dëshirë.

Ekspozita e hapur në Cyrih është përpjekja e tij e parë për t`i mbledhur fotografitë e tij dhe për t`ia prezantuar, të shtypura në letër, para një rrethi të ri dashamirësish të artit. Guximin për të bërë këtë hap ai thotë ta ketë marrë pas pëlqimeve të shumta që ka marrë në rrjetet sociale, ku fotografitë e tij janë të pranishme dhe të vlerësuara lart tash sa vite.