Kosova

Një mbyllje e tretë – fatale për ekonominë e Kosovës

Derisa theksohet se vendi nuk ka kapacitet të përballojë rimbylljen, vaksinimi masiv po shihet si zgjidhje kryesore e këtij problemi të mundshëm që më së rëndi mund të godasë bizneset

Një mbyllje e tretë e mundshme si pasojë e pandemisë po cilësohet fatale për ekonominë e Kosovës. Njohës të çështjeve ekonomike, e madje edhe parlamentarët ndajnë të njëjtin mendim – udhëheqësit të mos e shohin si opsion të parë karantinimin.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, njëherësh edhe deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në një prononcim për Albanian Post ka thënë se në rast të mbylljes, ekonomia e vendit do të pësojë rënie të theksuar.

“Rimbyllja e vendit për shkak të situatës së pandemisë COVID-19 është vështirë e paramenduar për ndërmarrësit dhe ekonominë e Kosovës. Ndikimi mund të jetë ende më i rëndë për arsye se sapo kemi dalë nga mbyllja e kaluar, e cila ka lënë pasoja të mëdha në sektorin e ekonomisë”, është shprehur Shala.

Sipas tij, mbyllja totale e vendit nuk duhet të konsiderohet si mënyra e vetme nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë.

Siç thotë Shala, “politikëbërësit dhe vendimmarrësit nuk duhet ta trajtojnë mbylljen si opsionin e parë. Duhet shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe kapacitetet institucionale dhe alternative për t’i ikur mbylljes”.

Kur pyetet se a ka Kosova kapacitet të përballojë edhe një mbyllje tjetër, deputeti Shala është përgjigjur se kapacitetet janë të limituara.

“Kosova i ka kapacitetet e limituara për të përballuar edhe një mbyllje të re ekonomike, kjo për shkak se edhe ekonomitë më stabile globale kanë pësuar recesione të mëdha”, ka thënë Shala duke shtuar se për gjithë këtë proces, akteri kryesor është qeveria që siç thotë Shala duhet të jetë afër bizneseve, t’i ndihmojë ato dhe të paraprijë me masa preventive.

I të njëjtit mendim qëndron edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu.

Fati i zhvillimit ekonomik sipas Gërxhaliut, nuk duhet të lihet në duar të institucionet të vendit. Kjo për shkak se pavarësisht pakove për rimëkëmbje ekonomike, është dëshmuar më së miri se sa “i varfër” është buxheti i Kosovës.

“Kosova ka kapacitete të limituara për të përballuar një mbyllje të tillë. Edhe pse kemi pasur dy pako për rimëkëmbje ekonomike të miratuara në vitin 2020 dhe pothuajse asnjëra nuk është përmbushur në tërësi, shpenzimi i vetëm 79 milionë eurove për rimëkëmbje e dëshmon më së miri se sa është i varfër buxheti dhe sa janë kapacitetet e limituara institucionale dhe shtetërore për të ndihmuar bizneset në kohë pandemie”, ka thënë ai përcjell Albinfo.ch.

Sipas Gërxhaliut, një mbyllje e re “do të ishte fatale për ekonominë e vendit”.

Njohësi i çështjeve ekonomike, thotë se është koha për vetëdijesim duke apeluar qytetarët dhe bizneset që të kenë kujdes në zbatimin e masave.

“Inspektorati duhet të jetë më aktiv në terren, është koha kur duhet të shtojmë kujdesin dhe ajo që mund të bëhet është vaksinimi që duhet bërë me një seriozitet sepse vetëm të vaksinuar janë të gjithë të sigurt. Një mbyllje tjetër është vërtetë një shuarje e shpresës për një rimëkëmbje dhe për një rritje ekonomike për vendin tonë në një të ardhme të afërt”, ka thënë Gërxhaliu.

Ndërkohë, bashkëpartiaku i Shalës, deputeti Abelard Tahiri, në seancën e së hënës ka kërkuar përgjegjësi më të madhe nga qeveria dhe Kryeministri Kurti duke përmendur edhe mundësinë e një mbylljeje të re.

“Po e shihni se numrat po rriten shumë, po kërcënohemi nga një mbyllje e re, edhe efektiviteti i shpërndarjes së vaksinave nuk po duket në këtë rast. E lusim qeverinë që ta rrisë këtë angazhim, që t’i shtojë ekipet dhe të jetë më shumë prezentë në qytetet e Kosovës në mënyrë që të bëjë të mundur një vaksinim sa më të madh të qytetarëve para shtatorit”, ka thënë Tahiri.

“Mendojmë që vendi ka nevojë për një qeverisje më dinamike, për një angazhim më të madh për rimëkëmbjen ekonomike. Bizneset nëse i zë edhe një valë e mbylljes pa angazhim të qeverisë dhe pa ndihmesë të saj, mendoj se do të jetë degraduese dhe shkatërruese për vendin tonë”, ka shtuar më tej deputeti Tahiri.

Ndërkaq, numri i rasteve me të infektuar nga COVID-19 në Kosovë ka dy javë që filluar të rritet sërish.

Vetëm gjatë të mërkurës së katër gushtit, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar 221 persona të infektuar nga COVID-19 dhe një të vdekur.

Derisa numri i të infektuarve vjen nga tre mijë e 160 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, numri i rasteve aktive është 888.