Lajme

Një rrëfim dashurie mes sopranos dhe tenorit

Që të dy kanë vite që merren me muzikë. Anjeza Islamaj e Faik Hondozi, që nga fëmijëria e tyre nuk iu ndanë muzikës, madje ishte kjo arsyeja që i bashkoi ata të dy. Anjeza nga Shqipëria dhe Faiku nga Kosova

Ishte periudha e studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, kur nisi historia e dashurisë për Anjeza Islamajn e Faik Hondozin. Dy të rinj që i bashkoi muzika, e që si rezultat sollën në jetë edhe tre fëmijë.

Me profesionin e tyre prej këngëtarësh të muzikës klasike, Anjeza soprano dhe Faiku tenor, janë të angazhuar vazhdimisht në koncertet që mbahen në sallat e bukura të operës dhe teatrove, në Vjenë.

Rrugëtimi i Anjezës dhe Faikut drejt karrierës

Prindërit ishin ata që e shtyn Anjezën të merrej me muzikë. Në fillim ajo u angazhua në trupën e cirkut të Vlorës, në vendlindjen e saj, në “Shtëpinë e Pionierëve”, për të vazhduar më pas në Akademinë e Arteve në Tiranë.

“Ishte dëshira e prindërve që të merresha me muzikë, kështu u aktivizova në trupën e cirkut të Vlorës, në “Shtëpinë e Pionierëve”, në shkollën e muzikës në qytetin tim të lindjes. Më pas vazhdova në Akademinë e Arteve në Tiranë, në klasën e pedagoges së mrekullueshme, Xhovana Dako. Mirëpo, ëndrra ime më e madhe ishte të bëhesha aktore, kështu që u kombinuan të dyja”, ka thënë Anjeza.

Ndërkohë, Faiku shkollën e muzikës e kishte kryer në Prishtine, kurse pastaj kishte shkuar për të studiuar në Tiranë, në Akademinë e Arteve.

“Pas mbarimit të shkollës së mesme dhe mbarimit të luftës në Kosovë, fitova konkursin në Fakultetin e Arteve, në degën e këndimit në klasën e profesor Ahmet Dërgutit. Megjithatë, kërkesat e mia u rritën dhe me ndihmën e shokut të fëmijërisë të babait tim, Sabri Fejzullahut, arrita që të transferohem në Akademinë e Arteve në Tiranë, në klasën e profesor Kastriot Tushës, e më vonë kisha nderin të punoj edhe me Nina e Avni Mulën”, rrëfen Faiku.

Artisti nuk lë pa kujtuar një pjesë të fëmijërisë së tij, nga e cila, në memorien e tij akoma ruhen vargjet e ninullave që ia këndonte e ëma.

Lidhja e dashurisë nisi në Tiranë

Gjatë studimeve në Tiranë lindi edhe dashuria mes çiftit. Të dy e tregojnë në mënyrën e vet kohën kur janë takuar, e që si fryt i asaj dashurie erdhën në jetë, siç i quan Anjeza, “tre yjet” e tyre.

“Jemi takuar në Akademinë e Arteve, kemi qenë në një klasë për tre vjet, pjesa tjetër është një histori e bukur dashurie. Jemi të dy kokëfortë dhe gjithashtu plotësojmë njëri-tjetrin. U pamë, u pëlqyem, u grindëm, por si duket u deshëm akoma më shumë, e kështu vazhdojmë edhe sot. Tani i kemi tre yjet tanë dhe ata janë ëndrra më e madhe e jetës tonë që na bëjnë krenarë çdo ditë”, thotë Anjeza.

Faiku, në anën tjetër, tregon se si iu desh kohë që ta bënte për vete Anjezën. Ajo atë kohë ishte një vajzë e qetë, e painteresuar se çfarë ndodhte përreth, përveç muzikës.

“E kisha në klasë dhe pikërisht me të kisha më së paku muhabet në krahasim me të tjerët. Kureshtja m’u shtua…ma rrëmbeu zemrën. Ndërkohë, dëgjoja shumë fjalë të mira nga të gjithë profesorët në universitet, sidomos nga Prof. Iliriana Dema që e shihte si vajzën e saj. Kështu që nuk u dorëzova, përkundrazi, këmbëngula deri sa ia arrita qëllimit. Tani kemi dhe tre fëmijët, që për mua janë arritja më e madhe në jetë”, ka thënë Faiku.

Vendimi për të jetuar në Vjenë, angazhimet e tanishme

Ishte shpresa për të arritur më shumë, ajo që i shtyri Anjezën e Faikun të largohen nga Shqipëria. Vendimi për të ardhur në Vjenë ka qenë më shumë rastësi dhe pastaj ishte punë e fatit.

“Në fillim nuk ka qenë aspak e lehtë. Ka pasur momente kur kemi thënë se do të kthehemi, por na ka mbajtur vullneti dhe forca për të arritur më shumë nga ajo që kishim lënë pas. Kishim edhe ndihmën e profesor Agim Hushit, i cili ishte mbështetja jonë më e madhe, duke përfshirë edhe miq të tjerë shqiptarë e të huaj, në Vjenë. Sikurse për të gjithë, edhe për ne ishte një vend i ri, me kulturë tjetër, gjuhë tjetër. Ndërkohë, isha bërë nënë dhe u desh që të ndalja studimet e Operës. Por, më vonë diplomova në drejtimin e Menaxhimit të Kulturës”, ka thënë Anjeza.

Kurse, angazhimet e tanishme kanë çaluar shumë për të dy muzikantët, e kjo për shkak të situatës pandemike.

“Pandemia ka goditur në veçanti artin. Fatkeqësisht në kalendarin tim janë anuluar turnetë e parapara në Kinë, si dhe shfaqja e produksionit operistik ku kisha në plan të këndoja në rolin e Dukës, nga Opera e Rigoltto, të Verdit. Megjithatë, në shumë data të dhjetorit do të jem i angazhuar në Vjenë me koncerte, një nga paraqitjet do të jetë edhe ajo me violinisten shqiptare, Valbona Naku”, thotë Faiku.

Lidhja me Shqipërinë dhe Kosovën

Të dyja vendet janë pjesë e pandashme për Anjezën dhe Faikun, andaj mundohen t`i vizitojnë sa më shpesh që munden. Përkundër angazhimeve në Austri, ata thonë se kohë pas kohe ftohen edhe për të marrë pjesë në evente të ndryshme që organizohen në vendet e tyre të lindjes.

Po ashtu, çifti ka qenë pjesëmarrës edhe në “Javën e Kulturës Shqiptare në Austri”, në të cilën para ca vitesh Anjeza ishte edhe nënkryetare e Këshillit Koordinues.

Sipas Anjezës, është pikërisht ky organizim dhe shumë të tillë, të tjerë që vënë në pah dhe mbajnë të gjalla vlerat shqiptare.

“Kushdo që ka qenë dhe është në krye të komunitetit tonë në Vjenë/Austri, ka bërë dhe po bën një punë të mirë për të prezantuar vlerat, traditën dhe larminë e kulturës sonë e cila duhet vazhduar të mbahet gjallë”, ka thënë ajo.

Performancat që do të mbahen mend

Pa dyshim që secili artist mban thellë brenda vetes një ngjarje të rëndësishme që i ka ndodhur gjatë ndonjë performance.

Për Faikun, i cili ka shkelur skena të mëdha të Operës, nuk do të harrohet performanca me Placido Domingon.

“Patjetër që do t`i mbaj mend emocionet e audicioneve të para që më hapën rrugën për të vazhduar më tej, por moment shumë i veçantë për mua mbetet ngjitja në skenë me Placido Domingon. Më pas janë edhe shfaqjet e produksioneve të ndryshme që i kam mbajtur në Austri, e deri te skenat më të mëdha të operës në Evropë, si dhe në Kinën e largët, ku kisha nderin të këndoj në Grand Theater Shangai”, ka thënë Faiku.

Ai ka shtuar se të arriturat e tij të deritanishme kanë ardhur si rezultat i trajnimeve me maestro si: Colin Lee, Vito Maria Brunetti & Peter Svensson, ku me përgatitjen e këtij të fundit kishte fituar edhe çmimin e 2-të në konkursin ndërkombëtar “Ljuba Velich”.

Njëjtë edhe për Anjezën, ka momente të cilat sa herë që i kujton, i japin emocionet e njëjta.

Por, jo vetëm skenat artistike botërore arrijnë të të japin emocione të forta.

“Kur diplomova në Menaxhimin e Kulturës “Kulturmanagement”, kisha për të prezantuar temën që e kisha shkruar për vendim tim. Isha veshur me veshje kombëtare, ndërkohë që kishte foto, peizazhe dhe muzikë klasike. U vlerësua një nga tre projektet më të mira. Për jurinë ishte surprizë kur kuptuan se ka operë shqiptare”, ka thënë Anjeza.