Tematike

Një studim interesant mbi gjuhën e fëmijëve parashkollorë shqiptarë në Zvicër

Dritër Gjukaj, mësues në shkollimin fillor në Zvicër ka realizuar një podcast (seri intervistash) lidhur me mësimin e gjuhës amtare dhe asaj lokale, gjegjësisht gjermane, të fëmijëve parashkollorë shqiptarë në Zvicër. Ai, në një intervistë për albinfo.ch shpalos përvojat e tij, të nxjerra nga realizimi i këtij projekti.

Gjukaj po ashtu flet për rëndësinë e njohjes me kompetencë të gjuhës së prindërve krahas asaj të vendit ku po socializohen fëmijët nga familjet shqiptare.

Albinfo.ch: Si lindi ideja të realizoni një Podcast të tillë?

Dritër Gjukaj: Ky podcast është zhvilluar gjatë studimeve të mia në fakultetin pedagogjik në Cyrih.

Unë zgjodha temën në lidhje me vështirësitë e tranzicionit, nga këndvështrimi i fëmijës. Duke vepruar kështu, unë u fokusova në temat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen familjet shqipfolëse gjatë fazës se hyrjes në shkollë. Për të marrë përgjigjen e pyetjes time kryesore, unë zhvillova katër intervista me familjet në fjalë dhe një intervistë me një logopede dhe eksperte në fushën e arsimimit të hershëm, përkatësisht Ivana Chatton. Gjatë kësaj kohe, unë kam kërkuar në rrjete sociale prindër që ishin të gatshëm të intervistoheshin rreth përvojave të tyre gjatë fazës së shkollimit, d.m.th. brenda tranzicionit. Unë jam kontaktuar nga një gazetare mjaft e angazhuar në diasporë, zonja Hava Kurti Krasniqi.Ajo më inkurajoi dhe më sugjeroi që të bëja publike rezultatet e punës sime, dhe kështu lindi ideja për të përmbledhur transkriptimet e mia të intervistave në formën e një podcasti.

Albinfo.ch: Cilat janë të gjeturat e këtij hulumtimi?

Dritër Gjukaj:Kam bërë tri gjetje të ndryshme. Gjatë hulumtimit të parë, unë bëra një krahasim në mes fëmijëve që janë rritur dhe edukuar në familje vetëm në gjuhën shqipe para se të fillonin shkollën dhe fëmijëve që kanë folur shqip dhe gjermanisht në shtëpi, gjatë kohës parashkollore d.m.th. fëmijë prej moshës 4 apo 6 vjet. Rezultati ishte befasues, sepse suksesi ose dështimi gjuhësor brenda fazës së tranzicionit të fëmijëve, sipas rezultateve të mia, nuk varet nga fakti nëse një fëmijë edukohet në një gjuhë ose në dy gjuhë, në shtëpi. Për të dy mënyrat e arsimit gjuhësor ka shembuj që flasin për një tranzicion të suksesshëm në shkollë, si dhe shembuj me vështirësi afatgjata gjuhësore.

Në hulumtimin e dytë kam analizuar faktin se pse në shumë minoritete të mbarë botës mund të vërehet që fëmijët emigrantë tashmë në gjeneratën e parë dhe të dytë komunikojnë më mirë dhe më shpesh në gjuhën lokale apo të shkollës dhe pse gjuha e parë (në rastin tonë, gjuha shqipe) humb pjesërisht. Në fushën e shkencës së zhvillimit të gjuhës, ky fenomen është definuar si fenomeni i dygjuhësisë subtraktive. Ky është rasti kur fëmijët në diasporë mësojnë vetëm gjuhën zyrtare (gjermanisht) ndërsa gjuha e parë (shqipe) nuk promovohet profesionalisht as në shkollë dhe as jashtë shkollës. Në fenomenin e kundërt, i cili rekomandohet në interesin e fëmijës gjatë tranzicionit , flitet për zhvillimin e dygjuhësisë aditive apo dygjuhësisë shtesë.
Në këtë rast, gjuha e dytë, ajo gjermane, mësohet bazuar në gjuhën amtare shqipe. Prandaj, zhvillimi i gjuhës ndërtohet mbi njëra-tjetrën dhe shkon paralelisht.

Për zhvillimin e gjuhës në mënyrë paralele, është i nevojshëm këshillimi profesional i prindërve. Si duhet të dinë prindërit me socializim njëgjuhësor (vetëm shqip) për nevojat dhe vështirësitë e fëmijëve dygjuhësor (shqip dhe gjermanisht) në shkollë?

Ne hulumtimin e tretë un kam folur me zonjën Chatton, për fëmijët të cilët i përziejnë gjuhët dhe çfarë kërkohet nga ne si prindër apo si pedagogë në këto raste. Znj. Chatton thotë se ky është një zhvillim i natyrshëm i fëmijëve bilingualë. Me rëndësi është që prindi të tregojë mirëkuptim për faktin se fëmija di të shprehet edhe në një gjuhë të huaj (gjermanisht) dhe se pedagogët duhet të kenë respekt për diversitetin e gjuhëve në klasën e tyre. Assesi nuk duhet të ndalohet plotësisht përdorimi i gjuhës së parë apo të dytë të fëmijës bilingual, por ky rast mund të shfrytëzohet për të hyrë në dialog me fëmijën mbi dygjuhësinë. Kur, për shembull fëmija sjell një fjalë gjermane gjatë një bisede në gjuhën shqipe, ne, ekspertët atë e definojmë si “Code-Switching”. Kjo nuk është dobësi por një cilësi pozitive që sjellin me vete fëmijët dygjuhësh. Ky fenomen mund të vërehet në shumë familje e kultura shumëgjuhëshe dhe është normal. Është e rëndësishme këtu, nëse fëmija përdor dy gjuhët së bashku, të ketë parasysh edhe përdorimin e gramatikës korrekte. Për një numër të madh të fëmijëve migrantë , tregon Znj. Chatton, është bërë si një lloj trendi që të flitet në mënyrë “jogramatikore”. Për sa kohë që një fëmijë mund të bëjë dallimin me vetëdije midis dy gjuhëve, nuk është as ky fenomen një dobësi por një forcë karakteristike e fëmijëve bilingual. Ekspertët në këtë rast flasin për vetëdijen metalinguistike.

Albinfo.ch: A planifikoni ta përktheni edhe në gjuhën shqipe?

Dritër Gjukaj:Do të më pëlqente ta përktheja këtë podcast edhe në gjuhen shqipe.
Sidoqoftë, bëhet fjalë edhe për kohën dhe mundin tim. kjo që po paraqes erdhi brenda studimeve të një semestrit.

Tema më ka zënë këtë vit shkollor në rolin tim si prind i fëmijëve të moshës shkollore dhe jam i sigurt se do të bëhet temë edhe për familje të tjera në të ardhmen.

Albinfo.ch: Sa është e rëndësishme që fëmijët shqiptarë të mësojnë edhe gjuhën amtare në Zvicër?

Dritër Gjukaj: Çdo familje duhet t’i bëjë vetes këtë pyetje dhe t`i ketë të qarta pasojat nga këndvështrimi i fëmijës në diasporë. Sipas mendimit tim, rezultatet janë të vetëkuptueshme. Për mua është e rëndësishme që fëmijët e mi të shprehen mirë dhe me kompetencë në gjuhën shqipe ashtu si dhe në gjuhën gjermane.Në sociologji flitet për faktin se pakicat janë po aq të forta sa vendi i tyre i origjinës (d.m.th. institucionet përgjegjëse) i përkrah dhe forcon ato. Gjatë punimit tim, unë kam tërhequr vëmendjen për mësimin dygjuhësh në Amerikë (Portugeze-Angleze) dhe në Gjermani (Turqisht-Gjermanisht), të cilat kanë treguar në mënyrë të qartë se ata (ne pozicionin e tyre si minoritet) janë në gjendje të edukojnë me sukses fëmijët e tyre në dy gjuhë. (additiv bilingual).

Kush është Dritër Gjukaj?

Unë jam rritur në Zvicër dhe kam mbaruar shkollën e mesme këtu në Cyrih. Gjyshi im Tahir Gjukaj emigroi në Embrach në 1973 dhe tre fëmijët e mi janë brezi i katërt pas tij që jetojnë në Zvicër. Unë jam shumë krenar për prejardhjen time kosovare dhe prandaj përpiqem t’ua transmetoj fëmijëve të mi gjuhën time dhe të bashkëshortes time sa më mirë në jetën tonë të përditshme. Në vitin 2023 ne mund të festojmë 50 vjetorin e familjes Gjukaj në Zvicër. Unë fillova të studioj për t’u bërë mësues i shkollës fillore në 2016 dhe krahas studimeve te mia, kam punuar si mësues i shkollës fillore në Cyrih-Leimbach dhe Wettingen. Tani jam në vitin e fundit të diplomimit në PHZH

Podkasti:

https://www.youtube.com/watch?v=rSYnPle13Pg&feature=youtu.be

 

 

 

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI