Kosova

Një vit nga trazirat në Zveçan, KFOR-i kërkon përgjegjësi

Një vit nga sulmet ndaj KFOR-it në Zveçan, misioni paqeruajtës: Autorët duhet të mbahen përgjegjës

Sot, misioni i NATO-s në Kosovë ka kërkuar edhe një herë që autorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it gjatë protestave të Zveçanit një vit më parë, të mbahen përgjegjës, përcjell albinfo.ch.

Në njëvjetorin e trazirave në Zveçan, në një komunikatë për media të mërkurën, KFOR-i ka thënë se sulmi ndaj pjesëtarëve të tij ishte i papranueshëm.

Në veri, tensionet u rritën vitin e kaluar pasi Policia e Kosovës asistoi që në ndërtesat komunale të hynin kryetarët e rinj shqiptarë. Kjo u kundërshtua nga popullata vendase serbe, që nuk pranoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të prillit, votime që i bojkotoi. Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me KFOR-in. Ishin lënduar 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej të cilëve morën lëndime të rënda.

“Sot ne nderojmë shërbimet dhe sakrificat e bashkëluftëtarëve tanë, të cilët e vunë jetën në rrezik, për t’i kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e misionit tonë në OKB. Guximi i tyre ndihmoi të stabiliziohej situata në zonë dhe të parandalojë përshkallëzimin e mëtejmë”, ka thënë Ulutash, sipas komunikatës.

“NATO-ja thekson se faktet duhet të vërtetohen dhe që autorët duhet të mbahen përgjegjës”, thuhet në këtë komunikatë. 

Sipas njoftimit, pas dhunës që shpërtheu në veri, NATO-ja ka dislokuar rreth 1000 ushtarë shtesë dhe ka sjellë forca të blinduara shtesë në Kosovë. Është rritur prania e KFOR-it në veri e janë shtuar patrullimet, përfshirë ato në kufi.

“Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO-ja qëndron e gatshme për të ruajtur paqen”, thuhet në komunikatë.