Maqedonia

NOMART ose financimi i kulturës në kohë pandemie

Intervistë me Rromir Imamin, artistin, publicistin, fotografin dhe specialistin e komunikimit digjital, i cili drejton qendrën NOMART

Qendra Kulturore e Maqedonisë së veriut në Zvicër “NOMART” është themeluar para rreth një viti ndërsa aktivitetet e saj i ka filluar në shtator të vitit 2020. Në krye të saj është një emër i njohur për publikun shqiptar në Zvicër, artisti, publicisti, fotografi dhe specialisti i komunikimit digjital, Rromir Imami. Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me Rromir Imamin, ku ai prezanton qendrën e re kulturore dhe shpalos planet e saj për të ardhmen.

(Pikturë nga Imer Bajrami)

Albinfo.ch: Është themeluar në Bernë Qendra Kulturore e Maqedonisë së Veriut, NOMART, dhe ju jeni themeluesi dhe drejtori i saj i parë. Na tregoni diçka rreth këtij projekti?

Rromir Imami: Qendra Kulturore NOMART është themeluar në gusht të vitit 2019 në Fribourg, ndërsa ka filluar me aktivitete në shtator të këtij viti. Projekti në fjalë është rezultat i një aktiviteti pothuajse dyvjeçar i bisedave konsultative dhe planifikimit strategjik, si me Ministrinë e kulturës në Maqedoninë e Veriut, po ashtu edhe me instanca të ndryshme në sferën e kulturës, këtu, në Zvicër. Qëllimi kryesor i kësaj qendre është të promovojë në mënyrë sa më të mirëfilltë artin dhe kulturën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Zvicër. (Prej aty buron edhe emri që është një akronim artistik i NOrth MAcedonian – ART  – NOMART). Projekti i Qendrës Kulturore NOMART në këtë mënyrë synon po ashtu përforcimin e identitetit kulturor të pjesëtarëve të diasporës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër.

Si qëndron puna me lokalin, ku do të punoni?

Për momentin Q.K. NOMART i ka zyrat administrative në Bernë, shumë afër Muzeut të artit (Kunstmuseum), më saktësisht, përbrenda hapësirave të Fondacionit PROGR (Stiftung PROGR – Zentrum für Kulturproduktion). Përzgjedhja e një vendi të këtillë ku gravitojnë shoqata dhe organizata të shumta kulturore padyshim që sjell shumë përparësi në drejtim të rrjetëzimit, përkrahjes logjistike si dhe shtrirjes së veprimtarisë. Koncepti i qendrës është që aktivitetet kulturore të mos koncentrohen vetëm në Bernë, por ato të mund të shtrihen në gjithë Zvicrën.

 

Një pyetje për konceptin: A i dedikohet një qendër e tillë më shumë komunitetit të këtushëm me prejardhje nga Maqedonia apo vendit mikpritës, gjegjësisht opinionit të këtushëm kulturor? 

Gjatë konceptualizimit të projektit, pyetja se kujt i dedikohet kjo qendër ka qenë njëra prej më të diskutuarave. Ne kemi rreth 100.000 pjesëtarë të diasporës nga Maqedonia e Veriut në Zvicër të cilët kanë nevojë për identifikim të mirëfilltë kulturor. Këtu e kam sidomos fjalën për gjeneratat e dyta dhe të treta të diasporës të cilat ballafaqohen me sfida krejtësisht tjera nga ato të prindërve të tyre. Ato kanë pikëpamje relativisht më të ndryshme rreth identitetit dhe përfaqësimit të tyre kulturor. Nga ana tjetër vërehet interesim i madh nga ana e popullatës vendëse për konsum të produkteve kulturore nga viset tona në formë të evenimenteve kulturore si ekspozita  të artit bashkëkohor, koncerte me muzikë të mirëfilltë si dhe filma.

A ka Maqedonia e Veriut, përvojë me qendra të tilla kulturore? dmth, a janë duke vepruar edhe tjetërkund përveç në Bernë dhe, nëse po, ku ka qenë fokusimi i tyre?

Gjithsesi. Disa prej këtyre qendrave rezultat i marrëveshjeve bilaterale mes dy shteteve, sikur që është shembulli i qendrave kulturore në Sofje, Stamboll dhe në Tiranë. Të tjerat, si ajo në Nju Jork për shembull, janë qendra kulturore si iniciativa të individëve (ose një grupi individësh) në vendet përkatëse, të cilat vendosin marrëveshje bashkëpunimi, në këtë rast me Ministrinë e kulturës, për realizimin e aktiviteteve programore. Qendra Kulturore NOMART i përngjet modelit të dytë, atij jo bilateral.

(Pikturë nga Bilgaip Kolqishta)

Sigurisht keni bërë tashmë ndonjë plan pune të qendrës. Cilat janë pikërëndesat e atij plani? çfarë parashikoni të punoni ose prezantoni për fillim?

Plani padyshim që është aty, dhe ka marrë dritë të gjelbër nga Ministria e Kulturës e RMV-së, e cila është financuesja kryesore e evenimenteve të sivjetshme. Megjithatë aty është edhe COVID 19 i cili bëri çrregullime në shumë sfera të jetës sonë normale. Padyshim që edhe kultura u prek nga kjo pandemi. Plani fillestar i shtrirjes së aktiviteteve përgjatë një periudhe disa mujore, duhej të modifikohej dhe gjithçka të ngjishej në një të ashtuquajtur maratonë kulturore. Kjo maratonë përmban një ekspozitë kolektive të veprave të pesë artistëve figurativ nga Maqedonia e Veriut, e cila do të mbetet e hapur, së paku ashtu shpresoj, deri më 20 dhjetor të këtij viti në hapësirat e Stiftung PROGR – Zentrum für Kulturproduktion në Bernë. Po ashtu është paraparë edhe projektimi i 7 filmave nga Maqedonia e Veriut të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore e këndej, si dhe mbrëmjet e fotografisë. Mes aktiviteteve tjera është edhe koncerti virtual i Duo Skupit i cili është paraparë të mbahet më 28.11.2020. Një pjesë e aktiviteteve, sikur hapja solemne e qendrës si dhe mbrëmjet letrare, për shkak të rrethanave, u desh të pezulloheshin. I tërë planprogrami, ku parapshikohet pjesëmarrje e publikut, i është nënshtruar ndryshimeve të masave të mbrojtjes së popullatës. Si burim më të përditësuar të aktiviteteve, kisha rekomanduar konsultimin e programit në faqen e Qendrës Kulturore NOMART (www.nomart.ch).

 

Financimi a bëhet plotësisht nga shteti apo ju duhet të gjeni edhe vetë burime këtu, nga komuniteti ose fondacione të këtushme? 

Qendra Kulturore NOMART është e regjistruar si shoqatë jofitimprurëse. Financimi i aktiviteteve është kombinim i përkrahjes shtetërore (të Republikës së Maqedonisë së Veriut), po edhe të partnerëve, organizatave kulturore dhe përkrahësve të këtushëm.

(Pikturë nga Trajce Blazevski)

Financimi i artit në kohë pandemie? Sa është kjo “e logjikshme”?

Aspak nuk është e logjikshme. Në rrethana të vështirësive ekonomike dhe prioriteteve tjera në rrafshin lokal dhe global (e kam fjalën për Maqedoninë e Veriut), financimi në art aspak nuk është i logjikshëm. Për fat të mirë as arti nuk është i logjikshëm. Ai është i përshpirtshëm dhe njerëzit kanë nevojë për të, sidomos në këto kohëra të një dëshpërimi të përgjithshëm. Edhe në rrethana jashtë pandemisë financimi i artit asnjëherë nuk është prioritet. Ai është një investim prej të cilit nuk ka përfitim financiar. Megjithatë, ka përfitime tjera të cilat e vendosin, në këtë rast Maqedoninë e Veriut, në skenën botërore kulturore si asnjë instrument tjetër.

Kur përmendim Qendrën Kulturore NOMART, sa veta duhet të paramendojmë brenda saj?

(Pikturë nga Ali Sinani)

 Jo shumë. Themelues jam unë së bashku me një mik timin, të shquar për filantropizmin e tij, linguistin Dr. Marc-Ariel Friedemann. Unë jam më tepër në rolin e drejtuesit, qëllimisht nuk them drejtorit, të evenimenteve kulturore të qendrës. Ky rol i drejtuesit përfshin aktivitete prej atyre të drejtimit të panove të pikturave që të jenë me një vijë, e deri te përpilimi i planeve strategjike disavjeçare të së ardhmes së qendrës. Gjithsesi, drejtimi i qendrës nuk është fryt i punës së një njeriu. Këtu përfshihen kontributet e shume miqve si në Maqedoninë e Veriut, po ashtu edhe këtu në Zvicër, të cilët vazhdojnë të japin kontributin e tyre në formë të përkrahjes së ndryshme. Këtu nuk mundem pa e përmendur përkrahjen e palodhshme dhe të  “palogjikshme” të familjes sime. Megjithatë, arti nuk është i logjikshëm, por i përshpirtshëm.

 Agjenda e Q.K. NOMART në vitin 2021

Plani është që agjenda të jetë e ngjeshur me evenimente kulturore në gjithë Zvicrën. Si me ekspozita, po ashtu edhe me koncerte dhe projektime te filmave. Duke marrë parasysh se ende jemi në pritje të rezultateve të konkurseve të ndryshme, nguroj të zbuloj specifikat në këtë fazë. Gjithsesi që pos web faqes së Qendrës (www.nomart.ch), edhe platforma Albinfo.ch si partner medial i qendrës, do të bëjë informimin e duhur në kohën e duhur.   

 Pak biografi

Rromir Imami është specialist i komunikimit dixhital për trashëgimi kulturore. Ka mbaruar studimet e Filologjisë në Shkup dhe ka magjistruar në Lugano, në Komunikim digjital. Punon si fotograf profesionist i portretit, në Fribourg dhe Bernë. Prej shtatorit 2020, drejton Qendrën Kulturore NOMART në Bernë.

(Autore e fotografive: Cornelia Roulet)