Kosova

Numërohen mbi 55% e vendvotimeve, Kurti kandidati më i votuar deri më tani

LVV-ja prin me rreth 43%, ndërsa mbi 100 mijë vota të diasporës ende mbeten pa u numëruar.

Procesi i numërimit të votave për kandidatët në Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdon, ndërsa deri tani janë procesuar 1.378 nga gjithsej 2.498 vendvotime, ose mbi 55 për qind e tyre, transmeton albinfo.ch.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë me rreth 43 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 21 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me më pak se 18 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me rreth 7 për qind.

Bazuar në formulën D’Hondt dhe rezultatet aktuale, përbërja e Kuvendit pritet të jetë:

* LVV – 48 deputetë

* PDK – 24 deputetë

* LDK – 20 deputetë

* Aleanca – 8 deputetë

Megjithatë, rezultati mund të pësojë ndryshime pasi ende nuk janë numëruar mbi 100 mijë vota të diasporës.

Kandidatët më të votuar deri tani

Te LVV-ja, kandidati më i votuar është Albin Kurti me 130.818 vota, i ndjekur nga Glauk Konjufca me 102.908 vota dhe Albulena Haxhiu me 59.591 vota.

Në PDK, më i votuari është Bedri Hamza me 64.092 vota, pasuar nga Përparim Gruda dhe Arian Tahiri.

Te LDK-ja, listën e prin Vjosa Osmani me 42.525 vota, ndërsa pas saj renditen Lumir Abdixhiku dhe Doarsa Kica-Xhelili.

Ndërkaq, në Aleancë kandidati më i votuar deri tani është Ardian Gjini me 21.843 vota, i ndjekur nga Ramush Haradinaj dhe Daut Haradinaj.

Procesi i numërimit pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa vëmendja mbetet te votat e diasporës, të cilat mund të ndikojnë në renditjen përfundimtare të kandidatëve dhe mandateve parlamentare. /Albinfo.ch