Kosova

Nürnberg, Kosova prezantohet me produkte të ndryshme bio

Në panairin ndërkombëtar “Biofach 2022” në Nürnberg, Kosova është përfaqësuar me produkte të ndryshme bio, shkruan albinfo.ch.

Pesë kompani nga Kosova: Agroprodukt, OrganicHerb, A-D-E Group, Fungo dhe Hit – Flores, po promovojnë produktet e tyre në panairin e ushqimeve organike “BIOFACH 2022”, që po mbahet në Nuremberg të Gjermanisë.

Konsulli i Përgjithshëm, Afrim Nura, me kënaqësi vizitoi këtë panair dhe u njoh për së afërmi me produktet e ndryshme të ekspozuara si bimë mjekësore organike, fruta mali të ngrira dhe të thata, kërpudha, dredhëza dhe produkte të tjera nga sektori i agrobujqësisë.

Ndërsa në bisedën me përfaqësuesit e KIESA-s, si organizatore e këtij përfaqësimi dhe përfaqësuesit e të pesë kompanive prodhuese, Agroprodukt SHPK, OrganicHerb Sh.P.K, A-D-E Group Sh.P.K, Fungo SHPK dhe Hit-Flores SHPK u shkëmbyen përvojat dhe mundësitë e eksportit të këtyre produkteve në tregun gjerman dhe evropian.

Bashkëpunimi i mirëfilltë institucion – ndërmarrës është një mundësi e mirë për sukses në arritjen e plasimit të produkteve “Made in Kosova” në tregun ndërkombëtar si dhe për promovimin e Kosovës si vend me potencial të madh dhe klimë të favorshme për investime.

Gjithashtu në vazhdën e kësaj vizite me kënaqësi vizituam edhe stendën e Shqipërisë dhe u njohëm për së afërmi me produktet ekspozuese në këtë panair.