Kosova

Nxënësit shqiptarë nga Suedia vizitojnë Ministrinë e Diasporës

Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, prej sot, më 15 prill 2019, nisin ekskursionet mësimore njohëse të nxënësve e mësuesve nga diaspora në atdhe.

Si pjesë e ekskursionit, sot Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike e vizitoi grupi i parë i nxënësve dhe mësuesve nga shkolla shqipe në Suedi. Ata i priti zv.ministri i MDIS-it, Isni Kilaj.

Ai theksoi se qëllimi i Ministrisë së Diasporës është ruajtja e lidhjeve mes diasporës dhe vendlindjes dhe kjo arrihet edhe përmes aktiviteteve të ndryshme kulturore e arsimore, siç janë ekskursionet mësimoret, përmes të cilave mësohet për historinë, kulturën dhe trashëgiminë e atdheut. Ekskursionistët nga Suedia sot e vizituan Kuvendin e Kosovës dhe kazermat e FSK-së.

Gjatë qëndrimit të tyre në atdhe, ata do të vizitojnë shkolla, qytete e monumente të ndryshme kulturore dhe historike në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Ky aktivitet, me karakter njohës mësimor, është i rëndësishëm për nxënësit nga diaspora, sepse u mundëson njohjen e atdheut, thellimin e njohurive për identitetin, gjuhën, kulturën dhe historinë e vendit të tyre. Ekskursioni zgjat pesë ditë, njofton Ministria e Diasporës, përcjell albinfo.ch.

Ekskursionet do të vazhdojnë me grupe të tjera të fëmijëve nga Austria, Gjermania, Greqia, Kroacia dhe Sllovenia. Nga secili shtet pjesëmarrës do të jenë nga 50 veta.