Lajme

Oficeri zviceran në Kosovë bën simbolin hitlerian dhe nuk dënohet

Në banakun e barit ai kishte ngritur krahun duke bërë shenjën e njohur hitleriane dhe kishte bërtitur “Heil Hitler!” dhe “Sieg Heil!”

Një gjykim i kryer nga Gjykata Ushtarake në St. Gallen ndaj një oficeri të Swisscoy-t (sektori zviceran në kuadër të Kfor-it) në Kosovë, e ka shpallur atë të pafajshëm. M.N,. 26-vjeçar ishte akuzuar se gjatë shërbimit të tij në Kosovë disa herë është dëgjuar dhe parë duke e bërë përshëndetjen e njohur hitleriane dhe thirrjen e njohur naziste “Sieg Hel”, shkruan blick.ch.

Sipas akuzës, akti kryesor për të cilin fajësohej oficeri ka ndodhur në një mbrëmje në kampin ushtarak në Prizren, transmeton albinfo.ch. M.N., i dehur dhe me uniformë ushtarake, kishte hyrë në barin e kampit ku po festonin njëzet ushtarakë tjerë nga Zvicra, Gjermania dhe Austria.

Në banakun e barit ai kishte ngritur krahun duke bërë shenjën e njohur hitleriane dhe kishte bërtitur “Heil Hitler!” dhe “Sieg Heil!”.

Ushtarët e pranishëm ishin indinjuar, ndërsa një punonjës i barit i kishte kërkuar oficerit që ta lëshonte menjëherë lokalin, përcjell albinfo.ch M.N. si përgjigje, e kishte goditur atë me grusht në fytyrë.

Prokuroria ushtarake ka ardhur në përfundim se oficeri ka bërë shkelje në kuptim të nenit mbi racizmin të Kodit Penal.

Por gjykata ka pasur mendim tjetër. Ajo e ka shpallur atë të lirë. Ndonëse oficeri është gjykuar për sjelljen e tij si i alkoolizuar, ekceset e tij naziste kanë mbetur pa u ndëshkuar. Ai mund ta mbajë më tutje po ashtu edhe gradën ushtarake që ka pasur.

Deri sot nuk është parë ndonjë arsyetim me shkrim të vendimit gjyqësor ndaj tij. Sipas avokatit të oficerit, gjykata ushtarake e ka arsyetuar vendimin e saj me konstatimin se te personi në fjalë nuk është identifikuar orientim ekstremist i djathtë dhe se ai “pa vetëdije dhe pa vullnet” ka përhapur ide të ekstremit të djathtë.

Por kjo, sipas gazetës është e habitshme kur dihet se ky oficer është një recidivist, përcjell albinfo.ch. Ai gjatë trajnimit për Swisscoy në Stans në vitin 2017 dhe më vonë në Kosovë ka rënë në sy me përshëndetjet e tij hitleriane dhe me parullat e njohura naziste si “Sieg Heil”.