Shqipëria
Opozita plan për të rrëzuar Shqipërinë në përpjekjen për çeljen e negociatave

“Shqipëria sot po përjeton një moment historik të veçantë, po përjeton një moment kulmor të një përplasjeje të madhe e cila ka nisur 4 vjet më parë”, – deklaroi sot nga Vlora Kryeministri Edi Rama.
Rama tha se “kjo përplasje ka nisur pa zhurmë, pa bujë, pa zë. Një përplasje e madhe që ka nisur me pëshpërimat e korridoreve të politikës, një përplasje e madhe ka nisur pikërisht për të tronditur nga themelet Shqipërinë, duke tronditur nga themelet drejtësinë dhe për t’i hapur rrugë një përpjekje të madhe historike që drejtësia të kthehet në kuptimin e vërtetë të fjalës së saj dhe të bëhet ajo që i vendos të gjithë shqiptarët të barabartë para ligjit dhe i trajton si të tillë”.
“Ky është kulmimi i asaj përplasje që është zhvilluar për 4 vite pak nga pak, duke u rritur tensioni dhe temperatura politike, kulmimi i asaj përplasjeje për të cilën ata që sot janë në përpëlitjen e fundit u angazhuan prej thuajse 1 viti me një plan tërësisht të qartë për të gjithë, të lexueshëm nga të gjithë dhe tërësisht të dështuar përgjithmonë”, – tha Rama.
Rama tha se “kurrë më parë në historinë gjithësesi të vështirë politike të vendit, nuk kishte ndodhur ajo që ka ndodhur në harkun e këtij viti”.
“Kurrë më parë në historinë gjithësesi me momentet dramatike të politikës së këtij vendi, në 30 vjet nuk kishim parë një opozitë si kjo që po shohim e që më keq, zi e më zi, mjerë e më mjerë, prej thuajse 1 viti”, – tha Rama.
“Nuk ishte parë që parlamenti të kthehej si një mejhane të dehurish të cilët gjuanin me çfarë t’u binte në dorë, që në parlament të gjuhej me vezë, të gjuhej me shishe ujë, që në parlament të përdoreshin kapsolla dhe fishekzjarre, që pas gjithë asaj gërdie primitive nga parlamenti deputetët të largoheshin duke djegur mandate dhe duke filluar të flasin përçart për zjarr e rrëmujë”, – tha Rama.
Sipas tij, “nuk kishim parë që dhuna të zëvendësonte politikën dhe politika të kthehej në dhunë, që nga njëra anë disa parti politike të transformoheshin në organizata të dhunshme dhe nga ana tjetër godina e Unitetit Kombëtar, Presidenti i Republikës të kthehej në epiqendrën e shtabit të një revolucioni imagjinar dhe të na shfaqej si Haxhi Qamili i ringjallur”.
“Kurrë më parë Shqipëria nuk ishte vënë nën një sulm të koordinuar që nuk synonte thjesht të fuste frikën dhe tmerrin në çdo familje të zakonshme të këtij vendi, por synonte të dërrmonte dhe gjunjëzonte vetë imazhin, dinjitetin dhe qenien e këtij vendi në sytë e botës. Si kurrë më parë, balta e mbiprodhuar në Shqipëri u shpërnda kudo në formën e fotove të dhunës me kazanë plehrash në flakë, njerëz të maskuar që sulmonin policinë me tym e gaz, me pamje institucionesh nën sulm. Të gjitha këto në faqet dhe ekranet e Europës dhe për të gjitha këto autorët e këtij plani nuk e fshihnin asnjëherë gëzimin e tyre, madje shfaqeshin të entuziazmuar se bota po e merr vesh se çfarë ndodhte në Shqipëri”, – tha Rama.
Ky plan, vijoi ai, “do t’i fusë në histori këta njerëz në radhën e shqiptarëve që tradhtuan Shqipërinë, nuk synonte rrëzimin e qeverisë, por synonte rrëzimin e Shqipërisë në përpjekjen për të filluar negociatat me BE-në. Ky është thelbi i neveritshëm i gjithë kësaj përpjekje, shembulli më kuptimplotë edhe i pse-së të gjithë këtij brutaliteti harbutërie, dhune dhe i kokëfortësisë të pashpjegueshme për shumëkënd, por i qartë për mua”, – tha Rama, raporton ATSH, përcjell Albinfo.ch.
Të ngjashme
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Elina Duni merr Çmimin Zviceran të Xhazit 2025 Këngëtarja dhe kompozitorja zvicerano-shqiptare Elina Duni do të nderohet me Çmimin Zviceran të Xhazit të këtij...
-
Tri kosovare marrin mirënjohje për reagimin e guximshëm pas sulmit me thikë në Siegen
-
Arrestohet 20 vjeçari shqiptar në Britani, po kultivonte 519 rrënjë kanabis
-
La Austrinë për të jetuar e punuar në Kosovë
-
Eda Vllaco, pianistja shqiptare me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare
Jeta në Zvicër
-
Elina Duni merr Çmimin Zviceran të Xhazit 2025 Këngëtarja dhe kompozitorja zvicerano-shqiptare Elina Duni do të nderohet me Çmimin Zviceran të Xhazit të këtij...
-
Zvicra ekstradon në Gjermani një 19-vjeçar që po planifikonte të kryente sulm terrorist
-
A mund të goditet edhe Zvicra nga një ndërprerje masive e energjisë?
-
Pasaporta zvicerane është ‘dokumenti më i bukur i identitetit në botë’
-
A ju lejohet ushtarëve zviceranë të mbajnë armë në shtëpi?