Kosova

Osmani: Investimet e MCC-së në Kosovë janë investim për të ardhmen e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të kryeshefes ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albgriht, mori pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e shënimit të 20-vjetorit të MCC-së, i organizuar në kuadër të Samitit SHBA-Afrikë në Dallas të Teksasit.

Në tryezën ekzekutive, në të cilën kanë marrë pjesë edhe presidentët e Liberisë, Malawit e Cabo Verdes, si dhe me kryeministrat e Mauritanisë e Sierra Leones dhe të përfaqësuesve të shumtë të qeverisë amerikane u diskutua për bashkëpunimin në drejtim të adresimit të sfidave zhvillimore.

Presidentja Osmani ka falënderuar Albirght për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së për zhvillimin ekonomik në sektorin e energjisë në Kosovë.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova, nga një vend i shkatërruar nga lufta është shndërruar në demokraci të përparuar në rajon, me ekonomi në zhvillim dhe partnerë të besueshëm.

“Partneriteti ndërmjet Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe Republikës së Kosovës ka qenë një rrugëtim transformues, duke sjellë përfitime të rëndësishme për popullin e Kosovës dhe ekonominë e saj, si dhe duke shënuar një kapitull të veçantë në marrëdhëniet dypalëshe”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Projektet sikurse ky, për Presidenten Osmani janë konfirmim i raportit të veçantë të Kosovës me SHBA-në.

“Investimet nga MCC-ja nuk janë vetëm investime në infrastrukturë dhe ekonomi, por investim në të ardhmen e Kosovës, për popullin dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja Osmani ka potencuar se mbështetja e MCC-së për Kosovën shërben si një katalizator për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve.

“Programet MCC-së në praktikë ndihmuan në transformimin e jetëve, ridizajnimin e politikave dhe rivendosjen e lidhjes ndërmjet sektorit të energjisë dhe ekonomisë”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani.