Kosova

Osmani mezi pret të punojë me presidenten e re të Maqedonisë së Veriut

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mezi pret të punojë me presidenten e re të zgjedhur të Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, përcjell albinfo.ch.

Silanovska-Davkova më 8 maj fitoi zgjedhjet presidenciale kundër presidentit të deritanishëm, Stevo Pendarovski. U bë gruaja e parë që zgjidhet presidente në Maqedoni të Veriut.

Osmani ka thënë se me Silanovska-Davkovan do të punojnë për integrimin euroatlantik, si qëllim kryesor i të dyja vendeve.

“Urime për Gordana Silanovska-Davkova për fitoren zgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe për t’u bërë presidentja e parë grua e vendit. Kosova dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore dhe ndajnë angazhim të fortë për integrimin euroatlantik. Mezi pres të punoj me presidenten e zgjedhur për të arritur këtë qëllim të përbashkët dhe për të thelluar më tej marrëdhëniet Kosovë – Maqedoni e Veriut”, ka shkruar presidentja në “X”.