Kosova

Osmani në Zvicër: Kosova, shembull i një shteti që ka vuajtur, tani model i demokracisë

Osmani nga Samiti për Ukrainën: Do ta ndajmë tregimin e Kosovës – nga zero në model të demokracisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po merr pjesë në Samitin e Paqes që po mbahet në Zvicër, në Bürgenstock, afër Lucernit.

Nga atje Osmani u paraqit përmes një lidhjeje direkte në llogarinë e saj në Facebook, kur tha se Kosova u bashkohet thirrjeve të të gjithë atyre të cilët shtyjnë përpara konceptin e paqes së drejtë, atë të ndërlidhur me drejtësinë me viktimat që kanë vuajtur gjatë luftës.

“Siç e dimë nga përvoja jonë e hidhur në Kosovë, nuk mjafton që thjesht paqen ta shohim si koncept të izoluar, pasi ajo në masë të madhe varet edhe nga drejtësia, drejtësia për viktimat, për ata që kanë vuajtur më së shumti gjatë luftës”.

“Si Kosovë, besoj se jemi në pozicion me të gjithë të tjerët që marrin pjesë në këtë Samit që të ndajmë storjen tonë, tregimin e Kosovës si një shtet që është ndërtuar nga zero, si një shtet që ka vuajtur e sakrifikuar shumë. Megjithatë, jemi shndërruar në një model të demokracisë dhe aleancave të fuqishme”, tha Osmani.

Më tej, e para e shtetit tha se njësoj siç kanë qenë të domosdoshme aleancat që të shpëtohet Kosova nga regjimi gjenocidal, njësoj, sipas saj, është po aq e rëndësishme që tani kur po rrezikohet e gjithë arkitektura e sigurisë në Evropë nëpërmjet agresion rus, të qëndrojnë të gjitha vendet bashkë në të njëjtat vlera e për t’i mbrojtur të njëjtat parime siç, sipas saj, janë mbrojtur në vitet e ’90-a në Kosovë.

“Përgjatë samitit që do të fillojë me seancën plenare shumë shpejt, ne do të diskutojmë për tri dimensione kryesore. E para, që do të udhëhiqet nga shtetet më të fuqishme, është siguria nukleare. E dyta, do të jenë dimensionet e tjera të sigurisë, siç është siguria ushqimore”.

“Kurse, i treti është dimensioni human, ku do të kontribuojmë më së shumti, sepse kemi ndërtuar një sistem pas luftës që shpesh merret edhe si model se si ndërtohet një demokraci e qëndrueshme, edhe pas shkatërrimeve që i shkakton lufta”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

Tutje, Osmani foli edhe për takimin që pati me presidenten e Zvicrës, Viola Amherd, me të cilën tha se diskutuan për mënyrat se si të rritet bashkëpunimi mes të dy vendeve, sidomos në fushën e mbrojtjes.

‘Diskutuam se si ta rrisim bashkëpunimin edhe në fushën e mbrojtjes, sidomos në edukim dhe trajnim të brezave të rinj të FSK-së. Diskutuam po ashtu për marrëveshjen EFTA, e cila do të mundësojë bashkëpunim më të madh tregtar dhe ekonomik ndërmjet shteteve tona. Kosova është e fortë, kur ajo ecën përpara me aleatë”, tha ajo.

https://www.facebook.com/watch/?v=1117671372674017