Lajme

Pandemia “favorizoi” organizatat kriminale

Zyra e BE-së kundër mashtrimeve financiare, OLAF, u përball me një sfidë të re më 2020. Krahas luftës ndaj mashtrimit tradicional me fondet e Unionit, institucionit iu desh të përballej me mashtruesit që përpiqen të përfitojnë nga pandemia.

Gjithsej, agjencia identifikoi mbi 1 mijë biznese të dyshimta dhe kontribuoi në sekuestrimin e miliona mallrave të falsifikuara si maska, antibakterialë dhe pajisje mjekësore, të rrezikshme për shëndetin.

“Kjo u verifikua në fillim të pandemisë. Me shitjen e maskave të falsifikuara patëm shumë probleme në shumë shtete anëtare. Nevoja për maska ishte e madhe dhe njerëzit nuk kishin. Për pasojë, morën të falsifikuara. Por, duke qenë se nuk ishin origjinale, ato ishin cilësi e keqe”, tha Ville Itälä, drejtor i OLAF.

OLAF mbylli mbi 200 hetime dhe rekomandoi rikuperimin e 293 milionë eurove në fonde publike. Agjencia normalisht i mban të fshehta hetimet, por në shkurt ajo i publikoi ato për të paralajmëruar vendet anëtare për mashtrimet me vaksinat.

Asokohe BE përballej me një mungesë të theksuar dhe kriminelët vendosën kontakte në 16 vende anëtare, por pa pasur sukses.

“Menjëherë sapo nisën vaksinimin e njerëzve, persona të dyshimtë bënë përpara dhe prodhuan vaksina false për t’ua ofruar autoriteteve. Në total u arrit në 1.2 miliard doza. Kjo do të thotë 16 miliardë dollarë si çmim fillestar, gjë që tregon se sa i madh ishte mashtrimi. Dhe, ofertat dukeshin tërësisht reale”,  shtoi ai.

Këtë vit agjencia përballet me një detyrë tjetër: shpërndarjen e fondeve të rikuperimit.

OLAF kërkon më shumë koordinim me vendet anëtare dhe Zyrën e re të Prokurorit Publik Evropian për të luftuar mashtruesit që luajnë me fondet publike. /Euronews