Lajme

Pandemia në Kosovë: Pa punë dhe pa ndihmë nga shteti

N. I. nga komuna e Ferizajt ka humbur vendin e punës për shkak të masave që janë marrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Kosovë.

Këto masa i detyruan shumë biznese të mbyllen fillimisht, e pastaj pas lirimit të masave, të veprojnë me kufizime. Kjo bëri që shumë pronarë të largojnë punëtorët nga puna.

“Unë kam mbetur pa punë, po ashtu edhe burri nuk punon. Deri më 13 mars kam punuar, pastaj pronarja më ka larguar. Kam kërkuar punë çdokund, po nuk ka njëherë përnjëherë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë. Ajo ka marrë vetëm 170 euro ndihmë nga shteti, por tani nuk mund ta gëzojë asnjë ndihmë tjetër.

Punëtorët, të cilët janë pezulluar apo larguar nga puna pas muajit maj, nuk përfshihen në Pakon Emergjente Fiskale të Qeverisë së Kosovës dhe as në ndonjë pako tjetër. Aplikimi për të përfituar nga kjo pako është mbyllur më datën 15 maj.

Pakoja emergjente fiskale, në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, kishte paraparë që punëtorët që kanë humbur vendin e punës, pas shpalljes së masave emergjente, të përfitojnë nga 170 euro për dy muajt e ardhshëm (prill dhe maj).

Pagesa për muajin maj do të mund bëhet pas miratimit të Ligjit të rishikuar për ndarjet buxhetore 2020, i cili tashmë është në shqyrtim final nga Kuvendi i Kosovës.

Punën gjatë kësaj kohë e kanë humbur të punësuarit në sektorin privat, i cili është punëdhënësi më i madh në Kosovë. Në këtë sektor vlerësohet se punojnë mbi 220 mijë punëtorë.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së pavarur të sektorit privat, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo ditë punëtorët po mbesin pa punë dhe se nuk po marrin më asnjë ndihmë nga shteti.

“Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë obligim për këta punëtorë që po humbin punën çdo ditë. Është një gjendje e rëndë. Kompanitë kanë rifilluar punën, por punëtorët nuk janë thirrur të fillojnë punën. Tani për tani, pjesa dërrmuese e punëtorëve në sektorin privat nuk e ka pagën 100 për qind; ata marrin diku 60 për qind, pasi që pronarët e kompanive po thirren në atë se nuk janë ndihmuar nga shteti dhe nuk mund t’i paguajnë punëtorët”, thotë Azemi.

Në Agjencinë e Punësimit të Kosovës bëjnë të ditur se është rritur numri i atyre, të cilët po regjistrohen si të papunë pas gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.

Numri i personave të regjistruar si të papunë në këtë agjenci ka arritur në mbi 180 mijë.

Ndonëse faza e parë e masave lehtësuese në Kosovë filloi më 4 maj, ende janë në fuqi disa kufizime për bizneset, të cilat kanë shtyrë shumë të tilla të reduktojnë veprimtarinë e tyre dhe rrjedhimisht të ulin edhe numrin e punëtorëve.

Që prej 6 korrikut, bizneset e gastronomisë e kanë të ndaluar të ushtrojnë aktivitetin e tyre nga ora 21:00 deri në orën 5:00./Rel