Kosova

Parada në Prishtinë, “Në emër të lirisë”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka ofruar mbështetje institucionale për organizimin e kësaj parade

Me moton “Në emër të lirisë”, pjesëtarët e komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), po mbajnë Paradën e Krenarisë në Prishtinë. Kjo është hera e dytë që ky komunitet po mban një paradë të tillë.

Masa është tubuar në sheshin “Skënderbeu” dhe më pas ka vazhduar drejt sheshit “Zahir Pajaziti”. Pas marshit nëpër qendrën e Prishtinës, përfaqësuesi i komunitetit LGBT, Lend Mustafa, tha se janë bashkuar për të kërkuar lirinë.

“Sot në emër të lirisë i ftojmë institucionet shtetërore që të mos na e mohojnë identitetin, të ofrojnë mundësi të barabarta dhe t’i përmbushin përgjegjësitë e tyre për të drejtat e njeriut dhe të shkojmë drejt një shoqërie diverse”, tha para masës së mbledhur Lend Mustafa, raporton “Evropa e Lirë”.

“Sot kërkojmë liri për personat që nuk kanë mundësi të lirohen nga presioni familjar dhe shoqëror, liri për të qenë vetja, për jetuar një jetë të përmbushur me dashuri e sukses”, tha Mustafa, përcjell albinfo.ch.

Ai falënderoi edhe aktivistët e LGBT-së nga rajoni që ndihmuan në këtë organizim. Po ashtu, një falënderim të veçantë kishte edhe për Policinë e Kosovës, duke thënë se ishte tërë kohën në vendin e duhur për mbrojtjen e pjesëtarëve të LGBT-së.

Krahas organizatorëve nga ky komunitet, në paradë po marrin pjesë edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Natalyia Apostolova, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe personalitete nga shoqëria civile.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ofruar mbështetje institucionale për organizimin e kësaj parade.

“Orientimi seksual është përcaktim individual në secilën shoqëri dhe si i tillë duhet respektuar. Është fat i madh që duke qenë shtet i ri, ne kemi Kushtetutën që siguron liri individuale për të gjithë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“LGBTI dhe Java e Krenarisë do ta kenë mbështetjen institucionale, për të qenë të lirë dhe sigurt në shfaqjen e përcaktimit të tyre”, ka shkruar kryeministri i Kosovës.

Para dhe gjatë kohës së mbajtjes së kësaj parade, nëpër sheshet e Prishtinës janë vërejtur forca të shtuara të Policisë së Kosovës.

Gjatë javës së fundit janë zhvilluar disa aktiviteti, ky pjesëtarët e LGBT-së kanë potencuar se po ndihen të diskriminuar dhe të kërcënuar në vazhdimësi.

Përfaqësuesit e tyre kanë thënë se një numër i këtij komuniteti po e lëshon Kosovës, pikërisht për shkak të mungesës së sigurisë.

Për herë të parë, Parada e Krenarisë në Prishtinë është mbajtur vitin e kaluar, ku të pranishëm ishin edhe aktivistë të shoqërisë civile si dhe politikanë të Kosovës.