Lajme

Përparim Avdili do të zgjidhet kryetar i FDP-së së Qytetit të Cyrihut

Ai është i vetmi kandidat që komisioni përzgjedhës prej pesë anëtarësh e ka paraqitur në komisionin e partisë. Bordi e ka emëruar atë të premten në mëngjes për zgjedhje në Kuvendin e Përgjithshëm të partisë, më 17 maj

I njohur tashmë si shqiptari i parë që arriti të fitonte një ulëse në Asamblenë e Cyrihut, qytetit më të madh të Zvicrës, Përparim Avdili ka dëshmuar tashmë në mënyrë të shumëfishtë veten në postin e përmendur, shrkuan albinfo.ch. Për këtë arsye, zgjedhja e tij për kryetar të FDP-së së qytetit të Cyrihut, që ka ndodhur sot, nuk ka ardhur si ndonjë gjë e jashtëzakonshme.

“Me një karrierë të rrufeshme, në krye të FDP-së së Qytetit të Cyrihut”. Kështu e titullon artikullin e zgjeruar kushtuar Përparim Avdilit,  versioni online i gazetës “Tages Anzeiger”, publikuar pak orë më parë.

“Përparim Avdili kërkon të udhëheqë opozitën djathtiste në qytet. Kreu i partisë i beson 34-vjeçarit, siç ka bërë të ditur paraditen e së premtes.

Dhe tani, ai është president. Përparim Avdili, nga kjo pranverë do të jetë pasardhësi i Severin Pfluger-it dhe do të kryesojë FDP-në e qytetit të Cyrihut. Ai është i vetmi kandidat që komisioni përzgjedhës prej pesë anëtarësh e ka paraqitur në komisionin e partisë. Bordi e ka emëruar atë të premten në mëngjes për zgjedhje në Kuvendin e Përgjithshëm të partisë, më 17 maj.

I kontaktuar nga albinfo.ch Përparimi thotë se realisht, mbledhja e 17 majit është formalitet por “sipas statutit prapë ka mundësi të ketë edhe ndonjë kandidat tjetër që mund të dalë atë ditë. Megjithatë, kjo nuk ndodhë pothuaj asnjëherë”.

“Dua t’i jap FDP-së një fytyrë të freskët”, thotë Avdili. FDP është e fortë në qytetin e Cyrihut, por ajo duhet të bëhet edhe më e larmishme dhe e gjallë nën presidencën e tij.

Ndonëse Avdili do të donte të shfaqej më “arrogant” dhe më pak shtet-mbështetës, siç thotë ai, kjo nuk duhet të përfundojë në një politikë të ngathët opozitare. FDP nuk duhet t’i mbyllë sytë ndaj çështjeve madhore si ndryshimi i klimës. “Ne njohim tendencat në shoqëri dhe nuk duhet thjesht t’i luftojmë ato si SVP, por duhet t’i shoqërojmë dhe të tregojmë zgjidhje liberale që janë më të mira se ato të shumicës kuq-gjelbër” (SP-GP).

34-vjeçari Avdili punon në sektorin financiar dhe bankar, është beqar, nuk ka fëmijë, vjen nga Cyrih-Altstetten dhe ka pasur një karrierë të rrufeshme në FDP të Cyrihut. Mediat u njohën për herë të parë shtatë vjet më parë. Në atë kohë ai po kandidonte për Parlamentin e Kantonit– pa sukses, por bujshëm. Në posterin e tij zgjedhor shkruhej: “Zürich – Rrethi 3 dhe 9”, në gjuhën shqipe. “Egzotike” e kishte quajtur “Blick”.

Në 2018, në moshën 30 vjeçare Avdili u zgjodh në Asamblenë Komunale. Dhe tani, vetëm katër vjet më vonë, ai emërohet kryetar partie. Bordi i partisë është i bindur se Avdili është i gatshëm për këtë punë, edhe falë “përvojës së gjerë të menaxhimit në sektorin privat”.

Silvan Wildhaber, President i komisionit përzgjedhës, shton: “Ai na bëri veçanërisht përshtypje me vlerat e tij liberale dhe diversitetin që ai praktikon, të cilat janë të rrënjosura thellë tek ai dhe që ai mund t’i përfaqësojë fuqishëm kundrejt të tjerëve”.

Një publik më i gjerë e kishte vënë re Përparim Avdilin shtatorin e kaluar. Kur kantoni anuloi papritur Festivalin Alba në zonën Hardturm të Cyrihut për shkak të numrit të madh të rasteve të koronës, ai u ngrit në krah të organizatorëve dhe luftoi kundër stigmatizimit të komunitetit shqiptar, përcjell albinfo.ch.

“Qeveria mund të mjaftohej duke vënë në dukje situatën e tensionuar në spitale pa e bërë një lidhje të tillë me komunitetin ballkanik,” kishte thënë ai në një konferencë për shtyp, të mbajtur në mjediset e festivalit.

Avdili konsiderohet si social liberal dhe udhëheq politikë fuqimisht të mbështetur në vijën e FDP-së.

Së bashku me Isabel Garcia nga GLP, ai arriti të bëjë që qyteti i Cyrihut të nisë një pilot me procese anonime aplikimi (në favor të të huajve).

Së bashku me Nadia Huberson të PS-së, ai arriti të detyronte qytetin të heqë tarifat komunale të natyralizimit prej 250 CHF për të rinjtë deri në moshën 25 vjeç, transmeton albinfo.ch. Ai i njeh të dy politikanët nga shoqata Secondas Cyrih, ku është nënkryetar.

Në shkurt, FDP arriti të fitonte një vend shtesë në këshillin bashkiak (asamble) dhe të mbronte nga “sulmi  Majtë-Gjelbër dy vendet e ekzekutivit të qytetit, të mbajtur nga Filippo Leutenegger dhe Michael Baumer.