Kosova

Përurohen shtatoret e prijësve të Lidhjes së Prizrenit (foto)

Bashkëpunëtori i albinfo.ch Xhevdet Kallaba sjell atmosferën nga përurimi në Prizren

Para plot 140 vjetësh këta burra shtetërorë vepruan për së gjalli, duke bashkuar popull e udhëheqës në Prizrenin legjendar për të konkretizuar veprimtarinë e tyre politike, në luftë për çlirim e pavarësi nga Perandoria Turke. Ata edhe sot, të skalitur në gurë, dhe sërish të bashkuar, u bënë sebep për t’i bashkuar udhëheqësit e sotëm shtetërorë të trojeve shqiptare, ndonëse jo dhe aq unik sa e kërkon koha dhe vendi.

Sidoqoftë, në një mot nëntori me vranësira, në fytyrat e njerëzve të pranishëm vëreheshin emocione të përziera të një populli tashmë të çliruar nga një perandori tjetër – Serbia, me një detyrë të rëndësishme të kohës – bashkimin dhe veprimin politik të zhvillimit të dy shteteve shqiptare, ashtu si shqiponja dykrenare, me një trup të përbashkët, deri në një bashkim të radhës në një trup e në një  kokë.

Këtë të diel të 25 nëntorit, në vargun e aktiviteteve me rastin e Vitit mbarëkombëtar të Skenderbeut dhe 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Ramush Haradinaj, me Komisionin qeveritar për vitin mbarëkombëtar të Skenderbeut, mundësuan realizimin e kompozicionit të shtatoreve për tre liderët e Lidhjes, pas një pune vetëmohuese të skulptorëve Gëzim Muriqi e Agron Blakqori.

Kompozicioni i shtatoreve të tre liderëve historikë u zbulua nga presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta, kryeparlamentari i Kosovës, z. Kadri Vesesli, kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj, kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka dhe kryetari i Komisionit qeveritar për vitin e Skënderbeut, z. Jahja Lluka.

Pas ceremonisë së vënies të kurorave pranë shtatoreve, nga përfaqësuesit e Shqipërisë dhe të Kosovës e të përcjellë edhe nga Garda e FSK-së, të pranishmit i përshëndeti kryetari i Prizrenit z. Mytaher Haskuka. Ai e cilësoi Prizrenin si një vend që gjithmonë i ka bashkuar krerët historikë të popullit shqiptar, por edhe ku kanë ndodhur ngjarje dhe janë marrë vendime të rëndësishme për popullin shqiptar.

Presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta përgëzoi Qeverinë e Kosovës dhe artistët që kontribuan që Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi dhe Abdyl Frashëri të rikthehen në Prizren e me këtë rast të na bashkojnë të gjithëve për ta nderuar këtë akt të jashtëzakonshëm që ata e bënë këtu e 140 vjet më parë, aq më tepër në një ditë të festave tona të Nëntorit, të cilat lidhen, jo vetëm me vitin mbarëkombëtar të heroit tonë Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, por njëkohësisht edhe me rastin e 110-vjetorit të Alfabetit të gjuhës shqipe dhe të festës së 28 Nëntorit.

Kryeparlamentari i Kosovës, z. Kadri Veseli e vlerësoi këtë ditë si të veçantë, të përjetësimit të tre baballarëve të kombit tonë, të cilët nisën rrugëtimin e idesë së lirisë, të idesë së shtetit kombëtar të shqiptarëve, për ta vazhduar punën e tyre klasa e tanishme politike drejt bashkimit kombëtar, drejt Bashkimit Evropian dhe Integrimeve Euroatlantike, duke dëshmuar çdo ditë e më tepër përbashkësinë, ndërgjegjësimin, përgjegjësinë dhe sakrificën tonë për ta çuar në vend amanetin e këtyre udhëheqësve të Lidhjes së Prizrenit.

Në fjalën e tij Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama përkujtoi vitin 1878 kur në Prizrenin legjendar kishin vërshuar rreth pesë mijë veta nga krahina e rajone të ndryshme të trevave shqiptare, për ta madhështuar Lidhjen e Prizrenit të udhëhequr nga këta burrështetas. Ai më tej foli për angazhimin dhe rolin e udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të udhëhequr nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi e shumë patriotë të tjerë, si simbole të bashkimit kombëtar, e duke cituar edhe thënien e Mid’hat Frashërit se Pavarësia e Kosovës ishte amaneti dhe përmbushja e Lidhjes së Prizrenit.

“Është e pamundur të imagjinohet pse Kosovës po i mohohet ndalimi i lëvizjes së lirë…Abdyl Frashëri na kishte paralajmëruar në fjalën e tij të janarit 1881 të mbajtur në orët më kritike të Lidhjes së Prizrenit: – Janë të shumtë smirzinjtë vetëm ndaj faktit që ne ekzistojmë, ata kërkojnë të na e grabisin mendimin e ekzistencës sonë, le të mendojmë dhe punojmë për vete dhe të mos ketë asnjë ndryshim mes toskëve dhe gegëve. Ne jemi të gjithë shqiptarë dhe formojmë një Shqipëri të bashkuar. Duhet që asnjë pikë e Shqipërisë, asnjë qytet, asnjë fshat shqiptar të mos u jepet vendeve me kombësi të huaj”, tha mes tjerash Kryeminstri Edi Rama.

Të pranishmit i përshëndeti edhe kryeministri i Kosovës  z. Ramush Haradinaj për të përkujtuar luftën dhe angazhimin për lirinë e trojeve shqiptare që nga Skënderbeu e deri më sot, duke vënë në spikamë etjen e vazhdueshme të bashkimit dhe të shtetndërtimit ndër gjenerata deri në ditët e sotme. “Nëse nuk heqim dorë nga e drejta jonë, ajo do të bëhet realitet. Kushdo që dyshon se ne nuk do të dimë ta shpiem rrugën tonë përpara, gabon; nëse jo për tjetër këtë na e mësojnë heronjtë tanë sot këtu, na mëson e kaluara jonë. Ne jemi të vendosur me e realizue të drejtën tonë të Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj në përmbyllje të këtij manifestimi.

Më pas anëtarët e Ansmablit “Shota” defiluan rrugës nga memoriali i Lidhjes së Prizrenit drejt Shatërvanit, për të shfaqur atje një program me valle popullore.

Shtatoret e prijësve të Lidhjes së Prizrenit janë punuar nga Gëzim Muriqi dhe Agron Blakqori.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

Foto: Xhevdet Kallaba