Shqipëria

Korçë: Policia zbaton kontrolle të rrepta për Festën e Birrës

Sonte është paralajmëruar performanca e këngëtarit kontravers Goran Bregoviq

Në vazhdën e masave të marra në kuadër të festës së Birrës në Korçë, Policia shqiptare u ka rikujtuar qytetarëve se mbrëmjen e sotme, në këtë aktivitet do të lejohen të hyjnë vetëm personat, të cilët janë të pajisur me biletë.

“Pranë vendit të quajtur “City Center”, këta shtetas do t’i nënshtrohen edhe një kontrolli fizik, ku nuk do të lejohet mbajtja e sendeve të ndaluara dhe më pas do të mund të hyjnë në brendësi të Terminalit vetëm nëpërmjet hyrjes kryesore nga “City Center””, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shërbimet e Policisë kanë siguruar dhe janë në marrje të vlerësim të çdo lloj informacioni për persona, të cilët mund të kenë tendenca për veprime të dhunshme. Aktualisht janë duke u verifikuar disa shtetas, me qëllim sigurimin e rendit publik dhe mbarëvajtjen e eventit deri në përfundim të tij.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 129 dhe në Komisariatin Dixhital çdo paligjshmëri të konstatuar, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional.