Kosova

Politika, “rrugë e shkurtër” për t’u bërë milioner

Profesioni më fitimprurës në Kosovë vlerësohet të jetë politika. Sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, disa zyrtarë të partive politike apo zyrtarë në institucione të larta, qofshin ato qendrore apo lokale, janë tashmë milionerë me pasuritë e tyre, kurse të tjerë hyjnë në kategorinë e njerëzve të pasur.

Edhe pse pagat e zyrtarëve të lartë shtetërorë në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit sillen mbi 13 mijë euro në vit, pasuria e patundshme e deklaruar paraqitet prej qindra-mijëra eurosh apo edhe pasuri milionëshe.

Mospërputhshmëria mes pagës që marrin dhe pasurisë së deklaruar, sipas shoqërisë civile, krijon hapësirë për dyshime për pasuri të paligjshme, shkruan REL, përcjell albinfo.ch.

Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, thotë për Radion Evropa e Lirë se dyshon që pasuria e shumë politikanëve apo zyrtarëve shtetërorë është e ndërlidhur me biznesmenë, të cilët përfitojnë nga tenderët e institucioneve publike.

“Krijohet dyshimi se një pjesë nga ta mund të kenë pasuri të dyshimtë ose pasuri të paligjshme, që mund të kenë lidhje përmes proceseve të ndryshme tenderuese ose përfitime të ndryshme nga bizneset që kanë lidhje direkt me partitë politike, për shkak të marrjes së numrit të madh të tenderëve nga institucionet. Përndryshe nuk ka kuptim nëse e sheh diskrepancën në mes të hyrave të tyre dhe pasurisë së paraqitur”, tha Demhasaj.

Edhe Hasan Preteni, drejtor i Qendrës për Etikë, Transparencë dhe Integritet në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, e quan paradoks këtë situatë. Ai dyshon se pasuria e disa zyrtarëve publikë është fituar nga keqpërdorimi i pozitës zyrtare.

“Shikoni stilin e jetës së tyre, shikoni pasuritë e patundshme, shikoni si jetojnë dhe ku shkollohen fëmijët e tyre dhe do vërehet menjëherë se mund të kenë pagë të madhe, por për një periudhë 10-15 vjeçare nuk mund të krijohet kjo pasuri”.

“Ne mund të flasim për pasurinë që deklarojnë në Agjenci, por nuk mund të flasim për pasurinë që nuk e kanë të regjistruar në emër të tyre. Pra, është një problem shumë i madh, por që nuk pritet që kjo të rregullohet, pasi nuk ka reflektim dhe nuk kanë vullnet politik që kjo çështje të rregullohet”, tha Preteni.

Në bazë të statistikave zyrtare, në Kosovë shkalla e papunësisë është rreth 30 për qind, derisa rreth 17.6 për qind të popullatës jeton në varfëri të plotë.

Paga mesatare për punonjësit në institucionet publike sipas të dhënave zyrtare ka arritur në rreth 500 euro, kurse një rritje për punëtoret e sektorit publik e kanë siguruar edhe me Ligjin e pagave që është miratuar në fillim të muajit shkurt në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq, paga në sektorin privat vazhdon të jetë 384 euro në muaj, shkruan REL, përcjell albinfo.ch.

Paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Kurse, shporta mujore e një qytetari në Kosovë llogaritet të jetë 115 euro, konsumi për ekonomitë familjare mbi 7500 euro në vit, shumë kjo që nuk siguron një standard të mirë jetësor për qytetarët.