Autotech

Porsche ndalon veturat me naftë

Porsche do të ndalojë ofrimin e versioneve të veturave me naftë. Deklarata ka ardhur nga shefi ekzekutiv, Oliver Blume, në një intervistë për “Bild am Sonntag”, i cili ka vënë theksin te veturat hibride dhe elektrike në të ardhmen.

“Nuk do të ketë më vetura me naftë nga Porsche në të ardhmen”, tha Blume, duke iu përgjigjur kërkesave gjithnjë e më të ashpra për të frenuar emetimet e CO2.

“Ne kurrë nuk kemi zhvilluar dhe prodhuar motorë diesel vetë. Megjithatë, imazhi i Porsche ka vuajtur. Kriza e veturave me naftë na ka shkaktuar shumë probleme”, shtoi më tej Blume.

Kompania që po investon më shumë se 6 miliardë euro për veturat elektrike deri në 2022,t ha se kërkesa për modelet e naftës është në rënie, transmeton ‘Scan’.

Porsche ka shitur versionet me naftë të veturave të saj për gati një dekadë. Vitin e ardhshëm, ajo do të sjellë modelin e ri, Taycan, që sipas kompanisë do të jetë vetura e parë sportive plotësisht elektrike, përcjell albinfo.ch.