Lajme
Posta Zvicerane teston shërbimet shumëgjuhëshe, klientët mund të shërbehen edhe në shqip

Për të përmirësuar qasjen në shërbime për njerëzit me njohuri të kufizuara të gjuhës gjermane, Posta Zvicerane po teston një projekt inovativ në pesë degë të Cyrihut. Klientët mund të marrin shërbime edhe në gjuhë të tjera, përfshirë anglishten, frëngjishten dhe shqipen, varësisht nga aftësitë gjuhësore të punonjësve në sportel, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.
Ky projekt pilot, i nisur në dhjetor, ka për qëllim të shfrytëzojë pasurinë gjuhësore të punonjësve të Postës, të cilët përfaqësojnë më shumë se 100 kombësi dhe flasin mbi 100 gjuhë të ndryshme. Shërbimi është i vullnetshëm dhe varet nga prania e personelit shumëgjuhësh në degë.
Zëdhënësja e medias së Postës, Silvana Grellmann, konfirmon se reagimet kanë qenë jashtëzakonisht pozitive. “Klientët e vlerësojnë shumë mundësinë për të marrë këshilla në një gjuhë që e kuptojnë. Disa janë edhe të gatshëm të presin për këtë shërbim,” tha ajo, transmeton albinfo.ch.
Në degën e Glattbrugg, ku punon Brian Santana, një punonjës që flet gjermanisht, spanjisht dhe anglisht, klientët tashmë vijnë qëllimisht për të përfituar nga ndihma shumëgjuhëshe. “Disa klientë madje udhëtojnë në Wallisellen vetëm sepse e dinë që punoj atje,” thotë ai.
Ndërsa projekti po hyn tani në fazën strategjike, Posta Zvicerane po vlerëson rezultatet me mundësinë për ta shtrirë në mbarë vendin. Ndërkohë, pesë degët e Cyrihut dhe një në Zvicrën frëngjishtfolëse kanë shprehur dëshirën për të vazhduar me këtë ofertë.
Ky shërbim, ndonëse mirëpritur nga shumë, nuk është pa debat. Çështja e integrimit dhe domosdoshmërisë së mësimit të gjermanishtes mbetet një temë e ndjeshme në arenën politike dhe publike.
Megjithatë, për Postën Zvicerane dhe klientët e saj, shumëgjuhësia po shihet si një pasuri, jo si pengesë, transmeton albinfo.ch.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Zgjedhjet lokale: Të mërkurën nis regjistrimi i diasporës, ҫka duhet të dini? Nga e mërkura, më 23 korrik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të hapë afatin për...
-
Dy vëllezër, dy arkitektë, diplomuan për një ditë në Zvicër
-
Oficeri i FSK-së shpërblehet me çmim të lartë amerikan
-
Atje ku malet prekin qiellin dhe mbretëron qetësia
-
Madrid: Baritoni shqiptar Gëzim Myshketa debuton në “Teatro Real”
Jeta në Zvicër
-
Shkollat zvicerane jashtë vendit rrezikojnë të humbasin identitetin për shkak të shkurtimeve buxhetore Shkollat zvicerane jashtë vendit po përballen me pasiguri të mëdha financiare, pasi Konfederata synon të ulë...
-
Zvicër: Mungesë e mbi 500 llojeve të ilaҫeve
-
Klasa e mesme në Zvicër, më e fuqishme se në shumicën e Evropës
-
Zgjedhjet lokale: Të mërkurën nis regjistrimi i diasporës, ҫka duhet të dini?
-
Noti, kujdesi shëndetësor dhe pagat, problemet e të huajve në Zvicër këtë verë