Tematike

Presidentja Osmani: Kosovarët duan të vaksinohen por ka mungesë vaksinash

Presidentja Osmani thotë se gatishmëria për t`u vaksinuar, në Kosovë është më e lartë se kudo në regjion por kanë munguar vaksinat

Rritja e numrit të të infektuarve në Kosovë dhe “iportimi” nga atje në Zvicër i rasteve të hospitalizimit vazhdon të jetë temë e rëndësishme në mediat zvicerane, shkruan albinfo.ch. Në këtë vazhdë, apeli i bërë bashkatdhetarëve tanë në Zvicër nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, që të vaksinohen, është në fokus të një artikulli dhe interviste që televizioni publik i Zvicrës (SRF) ka bërë me presidenten kosovare e cila aktualisht ndodhet në Zvicër

“Në Kosovë, kohët e fundit infeksionet dhe shtrimet në spital për shkak të Covid-19 janë rritur ndjeshëm. Prandaj vendi është shpallur zonë me rrezik të lartë në BE, dhe udhëtimi atje nuk rekomandohet. Kjo paraqet një problem për vendin ballkanik.

Vjosa Osmani-Sadriu, Presidentja e re e Kosovës, u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve të saj në Forumin Ekonomik Zviceran (SEF) në Interlaken që të vaksinohen kundër Covid-19”, shkruan srf.ch.

“Të gjithë kosovarët, në Zvicër dhe në Kosovë duhet të vaksinohen kundër Covid-19″, ka thënë presidentja në apelin e saj.

Si një nga vendet e fundit në Evropë, Kosova kishte filluar  fushatën e vaksinimit vetëm në pranverë, pas zgjedhjeve. Por, megjithatë, qeveria e re kishte zbutur kufizimet këtë verë për të mundësuar ardhjen e turistëve në vend dhe për të fituar kështu qasje në valutën e huaj.

Por, presidentja  Osmani-Sadriu kundërshton akuzën për marrjen e rreziqeve shumë të mëdha (duke bërë zbutjen e përmendur). Republika e Kosovës ka vendosur zbutjen e masave ashtu si dhe vendet e tjera, thotë ajo. Gjithashtu, sipas presidentes, bashkatdhetarët e saj nuk janë në thelb më skeptikë ndaj vaksinimit sesa të tjerët, kudo tjetër në botë. Është vetëm një pakicë që duhet akoma të bindet. Shumica dërrmuese e popullsisë dëshiron të vaksinohet”, është shprehur ajo. Presidentja madje thotë se gatishmëria për t`u vaksinuar, në Kosovë është më e lartë se kudo në regjion,

“Por, kanë munguar dozat e vaksinimit”. Ajo shpreson për dërgesa vaksinash nga vende mike, si Zvicra në mënyrë që 70 për qind e popullsisë të jetë e vaksinuar deri në fund të vitit. Koha po kalon ndërsa Kosova ka nevojë për investime për të stimuluar ekonominë. Dhe, në këtë kontekst, vula “zonë me rrezik të lartë” përbën një pengesë.

Pas pushimeve në Ballkan, shtrohen në spitale në Zvicër

Shumë nga pacientët me Covid të shtruar në Zvicër janë të kthyer nga pushimet. Stephan Jakob, mjeku kryesor në Inselspital në Bernë, e konfirmon këtë: “Ata që kthehen nga pushimet përbëjnë  një pjesë të madhe. Rreth 30 për qind e pacientëve janë të kthyer në mënyrë efektive (të sjellë drejtpërdrejt në spital) dhe po aq njerëz të sëmurë kanë udhëtuar së pari në shtëpi në mënyrë të pavarur dhe kanë ardhur tek ne më vonë”.

Gjithashtu edhe në Spitalin Kantonal St. Gallen, ka “me shumicë të madhe” të kthyer nga Ballkani.

Ndërsa, sipas deklaratave të bëra në SRF, në Lucern rreth gjysma e të gjithë pacientëve me Covid janë të kthyer nga pushimet e bëra në Ballkanin juglindor.

Në këtë kronikë flet edhe Përparim Avdili, në cilësinë e anëtarit të bordit të FC Kosova dhe të asamblistit bashkiak të Cyrihut. Ai thotë se është vaksinuar dhe ka qenë me pushime në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut këtë verë, përcjell albinfo.ch.

Turistët e pavaksinuar kanë hasur në vendas të pavaksinuar

“Pika qendrore që mungon atje është efektivisht trajtimi i certifikatës Covid. Rregulli 3G siç e njohim këtu nuk ka funksionuar ende ose nuk është vënë në zbatim. ”

Ndërsa  Dr. Florim Cuculi, bashkë-mjek kryesor i kardiologjisë në Spitalin Kantonal të Lucernit, thotë: “Shumë gjëra kanë shkuar keq. Rregullat që ishin duke u zbatuar ndërkohë, siç ishte ora policore, janë hequr për pushimet verore”. Kështu, turistët e pavaksinuar kanë hasur në vendas të pavaksinuar, transmeton albinfo.ch. “Kjo ishte arsyeja pse pati një shpërthim në numrin e infeksioneve”.

Shqiptari nga Maqedonia e Veriut, flet për një “fiasko” të vërtetë, dhe duke iu referuar pushimeve të vjeshtës ai apelon: “Ne duhet të sigurohemi që kjo të mos ndodhë më.” Njerëzit ngurrues në Zvicër dhe Ballkan tani duhet urgjentisht të vaksinohen, thotë ai.