Bota

“Pritje e ftohtë” për Erdoganin në Gjermani

Shumë gjermanë, pavarësisht pikëpamjeve të tyre politike, nuk e pëlqejnë udhëheqësin autoritar të Turqisë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, duhet të jetë përgatitur për një pritje të ftohtë, teksa mbërriti një ditë më parë në Gjermani për një vizitë shtetërore treditore.

Dëshira e tij për të “lënë pas të gjitha problemet, e për të krijuar një ambient të ngrohtë mes Turqisë dhe Gjermanisë, siç ka qenë më parë”, me të gjitha gjasat do të venitet.

Shumë gjermanë, pavarësisht pikëpamjeve të tyre politike, nuk e pëlqejnë udhëheqësin autoritar të Turqisë. Shumë pak gjasa ka, ndërkohë që ata të kenë harruar kritikat e ashpra të vitit të kaluar, kur Erdogani i krahasoi zyrtarët gjermanë me nazistët. Sikurse nuk mund të harrojnë komentet e tij provokuese ndaj 3 milionë turqve që jetojnë në Gjermani, teksa i shkurajonte të asimiloheshin në “atdheun” e tyre adoptues, transmeton “TCH”.

Pa dyshim, shumë gjermanë do ta fajësojnë atë për mosveprimin në një kohë më të hershme për të ndalur fluksin e mbi një milion emigrantëve sirianë në vitin 2015. Në vend të kësaj, siç është raportuar edhe në mediet greke, ai kishte kërcënuar të lejonte “pushtimin” e Evropës nga fluksi i emigrantëve në vitin 2015, nëse BE-ja dështonte ta ndihmonte atë në menaxhimin e krizës së refugjatëve, përcjell albinfo.ch.

Ishte pikërisht ai fluks emigrantësh i vitit 2015 që i dha “oksigjen” ekstremit të djathtë gjerman, partisë antiemigrantë dhe kundër Islamit, “Alternativës për Gjermaninë” (AfD), e cila fitoi për herë të parë disa vende deputetësh në Bundestag në vitin 2017.

Erdogani është një figurë përçarëse edhe mes shumë turqve që jetojnë në Gjermani, në veçanti mes aderuesve të nacionalizmit kurd apo laikëve, kundërshtarë të preferencave të tij për vlerat islamike konservatore.

E nëse raportimet janë të bazuara mjaftueshëm sa për t’u besuar, atëherë ai duhet të përballet me demonstrata të fuqishme në mbarë vendin. Gjithsesi, zyrtarët gjermanë po tregohen të kujdesshëm, pasi prishja totale e marrëdhënieve me Erdoganin nuk është në interesin strategjik të Gjermanisë.

Përpjekja e tij për të parandaluar luftime të mëtejshme në provincën veriore siriane të Idlibit, jo shumë larg kufirit me Turqinë, vlerësohet së tepërmi nga Berlini zyrtar. Ai mund të ketë parandaluar, të paktën momentalisht, kalimin ndërkufitar të mijëra emigrantëve të tjerë sirianë drejt Turqisë, e pse jo edhe më tej drejt Evropës.

Gjermania ka edhe lidhje ekonomike me Turqinë. Është pikërisht vendi europiano-aziatik partneri i dytë më i madh tregtar i gjermanëve, teksa këta të fundit numërojnë 7.500 kompani që operojnë në Turqi, duke sjellë për pasojë një kontribut të rëndësishëm prej miliarda dollarësh në tregtinë dypalëshe për vitin 2017. Gjiganti industrial gjerman “Siemens” ka siguruar së fundi një kontratë masive për të bërë funksionalë 10 trena të shpejtë.

Për këtë arsye, Gjermania ndien se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të bashkëpunojë me Erdoganin, më së paku mbi baza transaksionesh, në mënyrë që të ruajë interesin e vet tregtar, sikurse për të frenuar një fluks të ri emigrantësh drejt Evropës.

Megjithatë, Gjermania nuk është e gatshme t’i ofrojë litarin e shpëtimit Erdoganit në mesin e një krize ekonomike në vazhdim në Turqi. Gjermania nuk do të ofrojë kurrsesi një paketë ndihmash financiare për ekonominë turke të ngarkuar me borxhe, sikurse nuk ka për të hequr veton për hapjen e bisedimeve për modernizimin e Bashkimit Doganor BE-Turqi, sot 22 vjeç.

Dështimi i tij për të liruar të gjithë gjermanët me origjinë turke të arrestuar mbi akuza për terrorizëm, apo sjellja e tij antagoniste kundrejt Gjermanisë nuk janë gjëra, për të cilat gjermanët të mendojnë se i përkasin thjesht të shkuarës.

Po ashtu, Erdogani është ende i hidhëruar nga dënimi i vakët prej Gjermanisë i grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016, si dhe refuzimit të saj për të besuar në përfshirjen e ndjekësve të klerikut islamik që jeton në ekzil të vetimponuar në Pensilvani, Fethullah Gulen, në atë puç.

Erdogani shijoi një rritje politike në vendin e tij kur sulmoi Gjermaninë aq hapur vitin e kaluar, megjithatë, do të vijë dita që ai do të ndiejë keqardhje të thellë që zgjodhi të diskreditonte një vend tek i cili ai mbështetet aq shumë, si Gjermania. Me siguri, do të vijë dita që ai të arrijë të kuptojë fjalët e pavdekshme të dramaturgut amerikan, Wilson Mizner, edhe pse shumë vonë…

“Tregohuni të sjellshëm me njerëzit teksa korrni sukses, pasi do të takoheni me ta kur të jeni në nevojë”.