Ukraina

Putin: Sanksionet dëmtuan vetë BE-në

Vladimir Putin lëshoi një breshëri akuzash ndaj Perëndimit, në fjalimin e tij në forumin ekonomik të Shën Pjetërburgut.

Presidenti rus tha se Evropa do të humbasë mbi 400 miliardë euro vitin e ardhshëm për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Moskës, por jo vetëm kaq.

“Së fundmi, Bashkimi Evropian ka humbur sovranitetin politik dhe elitat burokrate të tij po zbatojnë urdhrat e të tjerëve, duke bërë gjithçka që u thuhet nga eprorët, duke i shkaktuar kështu dëme popujve të tyre, ekonomive të tyre dhe bizneseve të tyre”, u shpreh ai.

Kreu i Kremlinit shtoi se ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë nuk ishte shkak i problemeve ekonomike. Shkaku i vërtetë, sipas tij, u bënë politikat e Perëndimit.

“Rusia dhe veprimet e saj për të çliruar Donbasin nuk kanë lidhje. Sot, rritja e çmimeve, inflacioni, problemet me sigurinë ushqimore, karburantet dhe sektorin e energjisë në tërësi janë pasojë e gabimeve sistematike të administratës amerikane dhe burokracive evropiane”, theksoi Putin.

Presidenti rus foli edhe për fundin e udhëheqjes së botës nga Shtetet e Bashkuara dhe ritheksoi se Rusia do ta përmbushë pa hezitim misionin e saj në Ukrainë. /CNN