Kosova

Qyteti i Mitrovicës sot në ditë zie

Në shenjë nderimi dhe dhimbje për humbjen e jetës së të riut, që ishte zënë pas shembjes së një pjesë të ish hotelit “Adriatik” në qytetin e Mitrovicës, drejtuesit e kësaj komune në takimin e sotëm të bordit drejtues, kanë marrë vendim që të martën ta shpallin ditë zie.

Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e të ndjerit, duke thënë se ngjarja e djeshme ka qenë tronditëse për të gjithë qytetarët e Mitrovicës, përcjell albinfo.ch.

 Po ashtu është formuar një komision për verifikimin e gjendjes faktike në ish- hotel “Adriatiku”, në përbërje nga zyrtarë komunal të Drejtorisë së Inspeksionit, Drejtorisë së Urbanizmit dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Ky komision obligohet që pas kryerjes së punës të përpilojë raport me shkrim lidhur me gjendjen faktike të objektit dhe të sugjerojë për veprimet konkretë që duhet të ndërmerren.