Lajme

Kriza greke “infekton” shtetet e Ballkanit

Sistemet bankare i vendeve ballkanike mbetet i pambrojtur ndaj infektimit të bankave  greke. Greqia është në minutat e fundit të vendos për mbetje, ose dalje nga Eurozona

Sistemet bankare në Shqipëri, Bullgari, Maqedoni, Rumani dhe Serbi mbeten të pambrojtur ndaj infektimit nga degët e konsiderueshme të bankave greke në këto shtete. Kështu konsideron Banka Botërore në raporton e saj të fundit, e cila paralajmëron këto shtet për rrezikun që vjen nga kriza e bankave greke.

Banka Botërore thekson se “Presioni ekonomik e financiar në Greqi përbën një rrezik shtesë për parashikimet për rajonin, pavarësisht se ekspozimi i vendeve të tjera të eurozonës është ulur që prej vitit 2010”.

Duke veçuar Shqipërinë, BB, raporti shpjegon se bankat me kapital grek në Shqipëri janë 18 për qind e totalit të bankave, çka paraqet rrezik për përhapjen e stresit të sistemit financiar grek. Përveç rrezikut që mund të vijë në Shqipëri nëpërmjet bankave greke, një tjetër risk është edhe nga remitancat, duke qenë se Shqipëria merr nga dërgesat e emigrantëve afro sa 3.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në Greqi.

Mirëpo, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko ka përsëritur se sistemi bankar shqiptar është i mbrojtur dhe nuk preket nga kriza greke.

Sipas Sejkos, Shqipëria dhe bankat në vend nuk janë të rrezikuara nga një faliment i Greqisë, por në vend mund të ndihet një ulje e remitancave dhe shkëmbimeve tregtare, fenomene të cilat kanë ekzistuar edhe më parë.

Edhe Shoqata e Bankave Shqiptare, konsideron se kriza greke nuk prek sistemin bankar shqiptar. Më anë të një njoftimi për shtyp, Shoqata siguron të gjithë depozituesit dhe klientët se zhvillimet në Greqi, nuk ndikojnë në stabilitetin dhe funksionimin normal të bankave në Shqipëri.

“Sistemi bankar shqiptar, përfshirë edhe bankat me kapital grek, është financiarisht dhe operacionalisht i pavarur nga sistemet bankare në vende të tjera. Të gjitha bankat tregtare operojnë në Shqipëri si njësi të pavarura ligjore, nën kuadrin legjislativ e rregullator shqiptar, përfshirë kërkesat për kapital dhe mbikëqyrjen bankare. Asnjë nga bankat tregtare në Shqipëri nuk është degë e një banke të huaj”,  thuhet në njoftimin e Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Më tej thuhet se, sistemi bankar në Shqipëri ka nivele të larta mjaftueshmërie kapitali dhe likuiditeti, çka garanton stabilitetin e tij, funksionimin normal, dhe mosndikimin nga zhvillimet negative në vendet fqinjë.

Ndërkaq sa i përket Kosovës, ndikimi i drejtpërdrejtë i krizës në Greqi vlerësohet të jetë minimal, pasi që ekonomia e Kosovës ka një shkallë shumë të ulët të ekspozimit direkt ndaj ekonomisë greke Kështu ka deklaruar për REL, Besnik Kada, zyrtar për marrëdhënie me media në Bankën Qendrore të Republikës se Kosovës.

Ai ka shtuar se investimet e huaja direkte dhe remitencat nga shteti grek janë shumë të ulëta. Po ashtu, në sektorin bankar të Kosovës nuk operon asnjë bankë me origjinë greke.

Ndryshe, Greqia, deri në mesnatë, ka afat t’i paguajë borxhin Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vlerë prej 1.7 miliard eurosh; në të kundërtën, falimenton. Kreditorët ndërkombëtarë kanë thënë se nuk do t’i zhbllokojnë fondet e ndihmës për Greqinë derisa kjo e fundit të mos bie dakord për reforma.

Mirëpo, e ardhmja e ekonomisë greke dhe qëndrimit të saj në Eurozonë do të vendoset gjatë ditëve në vijim. Për të mbetur brenda apo jashtë eurozonës, është organizuar një referendum me 5 korriku, ku kërkohet që grekët të pranojnë ose jo reformat e propozuara prej kreditorëve ndërkombëtarë.

Liderët evropianë e përshkruajnë nismën plebishitare si zgjedhje mes qëndrimit në zonën e monedhës së përbashkët apo daljes prej saj. Ekspertët, sipas komenteve që i transmeton TCh, shohin katër mundësi të rrjedhës që do të marrë situata.

E para është arritja e një marrëveshjeje të minutës së fundit. Sipas kësaj, pala kreditore preferon padyshim një zgjidhje politike të ngërçit, duke arrit një ujdie që t’i lejojë shtetit helen përftimin e fondeve të nevojshme për t’i shlyer FMN-së 1,6 miliardë euro.

Një tjetër rrugë që çon drejt të njëjtit destinacion do të ishte vota pro në referendumin e së dielës. Për Syrizën, që rekomandon kundërshtimin e reformave të kërkuara nga ndërkombëtarët, kjo votë do të nënkuptonte një moment tepër të vështirë politik. Kredibiliteti i kryeministrit Alexis Tsiprasit do të lëkundej ndjeshëm e mbase edhe mund ta japë dorëheqjen vërtet siç paralajmëron.

Është dhe mundësia e një vote “Jo”, siç do të dëshironte kryeministri Tsipras. Një vendim i tillë i votuesve grekë do të ishte prologu i një periudhe të gjatë pasigurie dhe krize, që do të përfundonte me largimin e Greqisë nga Eurozona dhe rikthimin e monedhës së vjetër kombëtare- dhrahmi.

Mundësia e katërt dhe e fundit, ndërkaq është një votë “Jo” dhe një largim i negociuar nga Eurozona. Një lëvizje e tillë mund të jetë më pak pështjelluese, por sërish depozituesit grekë do t’i shohin paratë e tyre të konvertohen me humbje. Ndërkohë, nëse Greqia nuk dëshiron vetë të dalë nga zona e euros, nxjerrja e detyruar e saj do të ishte e paperceptueshme në aspektin ligjor, pasi nuk ekziston asnjë procedurë për dëbimin nga klubi i euros.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI