Kosova

Rama e quajti lajthitje marshimin më 28 nëntor, Kurti: Për mua është gati detyrë

Kurti u shpreh se qendra në Tiranë nuk është as pozitë as opozitë

Më 28 nëntor Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë pritet të bëjë një marshim me mesazhin e nevojës për bashkimin kombëtar (Kosovë- Shqipëri).

Marshimin e lajmëruar tashmë prej kohësh, në një prononcim të disa ditëve më parë kryeministri Rama e cilësoi si një lajthitje. Por ndryshe mendon Albin Kurti, kryeministri i ardhshëm i Kosovës.

Në një intervistë për emisionin Open në Top Channel, Albin Kurti u shpreh se ideja e marshimit nuk është lajthitje në gjykimin e tij. Madje Kurti thekson se të bësh aktivitete publike për bashkimin mes Kosovës e Shqipërisë është një ‘gati’ detyrë.

Kurti: Lajthitje? Çfarë të them unë, tani mendoj se nuk është lajthitje, nuk di çfarë të them. Të bësh aktivitete publike për bashkim, kjo është gati detyrë.

Në lidhje me vetë Vetëvendosjen në Shqipëri, Kurti u shpreh se qendra në Tiranë nuk është as pozitë as opozitë.

Kurti: Qendra e Vetëvendosjes në Tiranë nuk është as pozitë as opozitë, ajo është rregjistuar si OJF. Ne e kemi frymën e përbashkët por nuk dirigjojmë dhe drejtojmë njëri tjetrin. Ne jemi demokratë, ne e duam bashkimin kombëtar dhe sa më shumë aktivitete më 28 në frymën e bashkimit, aq më mirë është. Të zbatohen marrëveshjet që janë midis Kosovës dhe Shqipërisë percjell Albinfo.ch.