Shqipëria

Rama merr çmim në SHBA për mikpritjen e afganëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u nderua me çmimin e solidaritetit nga Organizata “Vital Voices Global Partnership” në SHBA, për mikpritjen që Shqipëria u bëri refugjatëve afganë, duke ofruar për ta strehim, arsimim, shërbime mjekësore e mbështetje psikosociale.

Çmimi iu dorëzua Kryeministrit Rama nga ish-Sekretarja e Shtetit të SHBA, Hillary Clinton, njëkohësisht dhe një nga themelueset e organizatës, çmim, i cili jepet “për njerëz të shquar që kanë treguar guxim dhe dhembshuri në mbrojtjen e grave dhe vajzave në mbarë botën”.

Kryeministri Rama u nderua më këtë çmim gjatë një mbrëmjeje të veçantë, të organizuar me këtë rast, gjatë së cilës u shfaq një dokumentar dhe një mesazh mirënjohës drejtuar Kryeministrit nga gratë afgane që ndodhen aktualisht në Shqipëri.

“Një nga vendet që nuk i braktisi afganët ishte Shqipëria. Kryeministri i saj, Edi Rama, u angazhua të priste deri në katër mijë refugjatë afganë, më shumë sesa çdo vend tjetër në botë. Vital Voices dhe një koalicion i grupeve të grave mbështeti evakuimin e rreth 1 000 udhëheqëseve gra: ministre të qeverisë, mjeke, drejtuese të shoqërisë civile, atlete, gazetare dhe shumë të tjera. Koalicioni me partnerët shqiptarë po u siguron strehim, arsimim, shërbime mjekësore, mbështetje psikosociale dhe të traumës. “Është gjëja e drejtë e më e natyrshme për t’u bërë”, u shpreh Rama në një intervistë për New York Times. “Ne nuk i vendosim njerëzit në kampe. Ato janë çnjerëzore”, thuhej në këtë dokumentar.

Në fjalën e saj, ish-Sekretarja e Shtetit u shpreh se “gjatë muajve të fundit, jemi përballur me përvojën e pabesueshme të kthimit në Afganistan të një grupi burrash, të cilët duan ta kthejnë orën mbrapa për gratë dhe rolin e të drejtat e grave. Do të doja që ata të ishin njerëzit e vetëm sot në botë që duan të kthejnë kohën pas. Për fat të keq, ka shumë prej tyre, që janë jo vetëm pengesë për përparimin, por, më keq se kaq, janë instrumente të përpjekjes për të zhbërë përparimin e bërë. Ja pse na duhen më shumë se kurrë udhëheqës, aktivistë dhe, veçanërisht, duke iu përmbajtur temës së sotme, burra, burra të mirë Xhejms, burra të mirë që ngrihen, flasin dhe mbështetin të drejtat dhe rolet e grave”.

“Kësisoj, është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua t’ju prezantoj dikë të cilin e admiroj, të cilin kam patur privilegjin ta njoh, karrierën e të cilit e kam ndjekur me interes dhe admirim të madh, udhëheqja e të cilit është simbol i një misioni të përbashkët, atë të ngritjes së grave dhe vajzave. Tani, mjaft udhëheqës ndërkombëtarë nuk ishin të gatshëm të bënin shumë. Edhe kur iu kërkua, gjithnjë në rastin kur u përgjigjën pozitivisht, angazhimet që morën ishin shumë të vogla. Megjithatë, pati një numër të vogël – dhe për fat të keq, kaq janë, një dorë e vogël udhëheqësish, – që u shprehën të gatshëm në një kohë nevoje të madhe. Në krye të kësaj liste është Kryeministri Edi Rama”, tha Clinton, transmeton atsh, përcjell Albinfo.ch.

Ajo vlerësoi se Kryeministri Rama kuptoi thuajse instinktivisht sa e rëndësishme ishte të shtrinte dorën, të thoshte “po”.

“Kështu, së bashku me ‘Vital Voices’, Institutin e Xhorxhtaunit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Gratë për Gratë dhe Nina’s List dhe shumë të tjerë, Kryeministri Rama u hapi dyert e Shqipërisë njerëzve nga Afganistani, e kryesisht grave në nevojë, dhe falë udhëheqjes së tij dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare, më shumë sesa 1 000 të evakuuar afganë janë të sigurt në Shqipëri. Kur e mora në telefon kryeministrin për ta falënderuar për këtë angazhim të jashtëzakonshëm, ai u përgjigj shumë natyrshëm: “Po çfarë tjetër duhet të kishim bërë?”. Do doja të kishte më shumë udhëheqës me këtë lloj qasjeje”, tha ajo.

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit tha se “kjo nuk është e vetmja arsye që ai nderohet sonte”.

“Pas rizgjedhjes së tij, në shtator, Kryeministri Rama shënoi një rekord historik, duke emëruar numrin më të madh ndonjëherë në Shqipëri të grave në qeverinë e vendit. Mbi 70 për qind e ministrave të kabinetit të tij qeveritar janë gra dhe disa prej tyre gjenden këtu këtë mbrëmje – partnere të barabarta në përpjekjen për të formësuar vendin të cilit i shërbejnë. Ai vazhdon ta vendosë barazinë gjinore në qendër të axhendës së qeverisë së tij dhe të ngrejë zërin kundër dhunës gjinore dhe krah forcimit të pjesëmarrjes ekonomike të gruas shqiptare. Në një kohë kur në mbarë globin tonë të drejtat dhe siguria e grave janë në momente të vështira, angazhimi i Kryeministrit Rama për të çuar përpara mirëqenien, mundësitë në Shqipëri dhe për afganët e të tjerët duhet të na frymëzojë të gjithëve për të vepruar”, tha ajo.