Shqipëria

Rekord i remitancave në Shqipëri

Një studim i Bankës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, ka treguar se remitancat janë burim të ardhurash për rreth 26% të familjeve shqiptare

Vitin e kaluar, ekonomia shqiptare përfitoi remitanca në shifrën rekord të rreth 1.25 miliardë eurove. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, në fakt, kontributi i remitancave në ekonomi është më i madh nga sa mendohej.

Në këtë shifër përfshihen transfertat personale të emigrantëve për familjet e tyre, por edhe të ardhurat e rezidentëve në Shqipëri nga puna sezonale apo në distancë jashtë vendit. Të ardhurat nga puna përbëjnë një burim në rritje të shpejtë dhe vitin e kaluar kishin vlerën e rreth 310 milionë eurove ose sa një e katërta e vlerës së përgjithshme të remitancave.

Të dhënat e mësipërme dëshmojnë se remitancat përbëjnë fluksin më të madh hyrës në ekonominë shqiptare, duke lënë pas edhe investimet e huaja direkte. Ato kanë qenë fluksi financiar më i qëndrueshëm dhe më i sigurt në ekonominë shqiptare në periudhën e paztranzicionit, transmeton Scan.

Një studim i Bankës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, ka treguar se remitancat janë burim të ardhurash për rreth 26% të familjeve shqiptare. Ato kontribuojnë në arsimim, shëndetësi, investime, por sidomos në uljen e varfërisë. Dërgesat nga jashtë përbëjnë 90% të të ardhurave të familjeve marrëse, çka tregon se rreth një e katërta e familjeve në Shqipëri varen pothuajse ekskluzivisht prej tyre, përcjell albinfo.ch.

Një problem për ata që dërgojnë para në Shqipëri ngelet kosto relativisht e lartë e dërgesave. Kjo kosto është mesatarisht sa 8.9% e vlerës së dërgesës, nga 6.9% që është vlerësimi më i fundit për mesataren globale. Kostot e larta lidhen shumë edhe me faktin që shqiptarët vazhdojnë të zgjedhin kryesisht kompanitë e transfertave të parave; rreth 57% e parave dërgohen përmes këtyre institucioneve. Kjo ndikon ndjeshëm në rritjen e kostove, sepse kompanitë e transfertave të parave zakonisht kanë komisione më të larta.

Nga 1.25 mld euro, më pak se 30% hyjnë nga bankat

Individët morën 44 miliardë lekë ose rreth 360 milionë euro transferta nga jashtë në llogaritë e tyre bankare gjatë vitit të kaluar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se transfertat nga jashtë në llogaritë e individëve shqiptarë pësuan një rënie të ndjeshme me 23% gjatë vitit të kaluar. Shifra në vetvete dëshmon se transfertat e parave drejt Shqipërisë bëhen në pjesën dërrmuese jashtë kanaleve bankare dhe shpesh në rrugë informale.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar ekonomia shqiptare përfitoi remitanca në shifrën rekord të rreth 1.25 miliardë eurove. Në këtë shifër përfshihen transfertat personale të emigrantëve për familjet e tyre, por edhe të ardhurat nga puna sezonale apo në distancë jashtë vendit.

Por, po të krahasojmë vlerën e remitancave me shumën e transferuar në llogaritë bankare të individëve, rezulton se vetëm 29% e vlerës së remitancave hyn në rrugë bankare. Studimet kanë treguar se kjo lidhet me kulturën e dobët financiare të emigrantëve, por edhe me faktin që një pjesë e madhe e parave vijnë nga aktivitete informale ose edhe të jashtëligjshme.

Kostot e larta lidhen edhe me faktin që, edhe kur dërgojnë në rrugë formale, shqiptarët vazhdojnë të zgjedhin kryesisht kompanitë e transfertave të parave: rreth 57% e parave dërgohen përmes këtyre institucioneve. Kjo ndikon ndjeshëm në rritjen e kostove, sepse kompanitë e transfertave të parave zakonisht kanë komisione më të larta. Perceptimi për procedurat bankare si të komplikuara mbizotëron, edhe për shkak të kulturës së ulët financiare. Kjo shpjegon pse shumica e individëve zgjedh kompanitë e transfertave të parave, që kanë kosto akoma më të larta, por janë më të thjeshta në aksesim.

Të ardhurat nga puna jashtë, 160 milionë euro për 6 muaj

Të ardhurat nga puna jashtë vendit po bëhen një burim gjithnjë e më i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Sipas Bankës së Shqipërisë për 6-mujorin e parë të vitit, këto të ardhura kishin vlerën e 160 milionë eurove, në rritje me 5.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo shumë përfshin të ardhurat nga punësimi sezonal i shqiptarëve jashtë vendit ose nga puna në distancë që shqiptarët kryejnë për subjekte që ndodhen jashtë Shqipërisë. Puna në distancë lidhet me të ashtuquajturat shërbime outsourcing, që shumë kompani i kontraktojnë në vendet ku kosto e punës është më e lirë. Për gjithë vitin 2018, të ardhurat nga puna kishin vlerën e 285 milionë eurove, ndërsa duke parë tendencën e 6-mujorit gjasat janë që kjo shifër të jetë më e lartë për këtë vit.

Shifrat dëshmojnë se të ardhurat nga jashtë tashmë nuk lidhen vetëm me remitancat dhe emigracionin e përhershëm, që gjithsesi ngelen në përmasa të rëndësishëm, madje kanë nisur një cikël të ri rritjeve gjatë viteve të fundit.

Për gjysmën e parë të vitit 2019, vlera e remitancave të dërguara në Shqipëri ishte 336 milionë euro, pesë milionë euro më shumë në raport me gjashtëmujorin e parë 2018. Por, përveç kontributit të remitancave, shqiptarët po kërkojnë mundësi punësimi jashtë qoftë në mënyrë të përkohshme apo edhe duke punuar nga Shqipëria. Për një ekonomi si ajo shqiptare, me një deficit të thellë tregtar në mallra, gjetja e mënyrave për të ngushtuar deficitin e pozicionit të jashtëm ngelet e rëndësishme. Burimet që e reduktojnë deficitin e llogarisë korrente janë remitancat, turizmi, sektori fason dhe eksportet e shërbimeve në përgjithësi.

Gropa e deficitit thellohet, por investimet e huaja ende e mbulojnë

Deficiti i llogarisë korrente po përkeqësohet ndjeshëm këtë vit dhe është një nga faktorët që e kanë tkurrur rritjen ekonomike të vendit. Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë të vitit deficiti i llogarisë korrente arriti në 273 milionë euro, 62% më shumë krahasuar me një vit më parë. Në terma realë, deficiti korrent u vlerësua në nivelin 7.6% ndaj PBB-së, ose 2.6 pikë përqindjeje më i lartë se i njëjti tremujor i një viti më parë.

Pozicioni i llogarisë korrente përfaqëson bilancin mes hyrjes dhe daljes së valutës në ekonomi, nga tregtia e mallrave, shërbimeve, nga turizmi e udhëtimet, të ardhurat nga puna, si edhe të ardhurat dytësore, ku përfshihen edhe remitancat.

Deficiti i llogarisë korrente nënkupton se ekonomia importon më shumë mallra e shërbime nga sa eksporton; kjo nënkupton se nga ekonomia shqiptare del më shumë valutë nga sa hyn. Arsyeja kryesore pse Shqipëria ka një bilanc negativ të llogarisë korrente është deficiti i thellë tregtar në mallra, deficit që në tremujorin e dytë u rrit me 14%. Këtë vit deficiti po thellohet sidomos për shkak të përmbysjes së bilancit tregtar të energjisë elektrike krahasuar me vitin e kaluar, por edhe me një ecuri më të dobët të eksporteve shqiptare në përgjithësi.

Pjesërisht, deficiti i mallrave mbulohet nga bilanci pozitiv i shërbimeve: më konkretisht, fasoneria, shërbimet outsourcing dhe turizmi ndihmojnë pjesërisht në uljen e deficiti tregtar të mallrave. Në shërbime, Shqipëria ka një bilanc tregtar pozitiv, por që sigurisht nuk mjafton për mbuluar hendekun e thellë tnë tregtinë e mallrave.

Deficiti i llogarisë korrente në vitet e fundit është mbuluar nga llogaria financiare dhe kapitale, kryesisht falë flukseve të mëdha të investimeve të huaja direkte. Investimet e huaja u rritën me 19% në tremujorin e dytë, ndërsa flukset hyrëse neto në llogarinë financiare dhe kapitale mbuluan në masën 133% deficitin e llogarisë korrente.

Financimi i deficitit të llogarisë korrente përmes llogarisë financiare i mundëson ekonomisë shqiptare të plotësojë nevojën për valutë për të vazhduar të importojë mallra nga jashtë vendit. Njëkohësisht, ajo mundëson edhe ruajtjen e balancave në kursin e këmbimit valutor. Në vitet e fundit, suficiti i llogarisë financiare ka qenë ndjeshëm më i lartë se deficiti i llogarisë korrente, çka, në vija të përgjithshme, shpjegon tendencën e forcimit të lekut ndaj euros.