Kosova

Riciklimi i mbeturinave: Kosova më së keqi në Evropë

Të dhënat e fundit kanë treguar se Kosova qëndron më së keqi në Evropë në procesin e ripërpunimit të mbeturinave.

Gjetjet janë publikuar nga web-faqja “Landgeist”, duke u bazuar në statistikat zyrtare, transmeton albinfo.ch.

Sa i përket normave më të larta të riciklimit në botë, dominojnë Gjermania, Austria dhe Sllovenia. Sipas të dhënave të zyrës statistikore të Bashkimit Evropian “Eurostat”, shkalla mesatare e riciklimit të mbetjeve në vitin 2021 arriti në 49.8 për qind.

Gjermania është performuesja më e mirë në këtë aspekt me shkallë të riciklimit të 69.3 për qind të bërllokut të riciklueshëm, e pasuar nga Austria me 62.5 për qind dhe Sllovenia me 60.8 si tri vendet e vetme që riciklojnë më shumë se 60 për qind të mbetjeve të riciklueshme.

Dy shtete qëndrojnë shumë keq, Kosova dhe Mali i Zi, të cilat janë të vetmet me shkallë nën 10 për qind. Kosova riciklon vetëm 2.5 për qind të materialeve të riciklueshme, sipas të dhënave të “Eurostatit”. Mali i Zi qëndron me 4.7 për qind në vendin e parafundit në Evropë.

Shqipëria qëndron më së miri në rajon me shkallë 18.7 për qind të riciklimit të mbetjeve të riciklueshme.