Kosova

Rrahja në Prizren, paraburgim për dy persona

Sipas kumtesës për media, në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një muaji, ndaj të pandehurve me iniciale V.Gj. dhe M.B nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Sipas Gjykatës, masa e paraburgimit do t’u llogaritet prej datës së arrestimit, 16.08.2019 dhe do të zgjasë deri më datën 16.09.2019.

“Me datë 16.08.2019, rreth orës 16:00 në Prizren, rruga “Ulqini”, si pasojë e një mosmarrëveshje që kishte me të dëmtuarit M. dhe H. Buzhala dhe rreth vajzës së tyre, me t’i takuar në rrugë, pas një fjalosje me dashje i sulmon me grushte, në kokë, fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit me ç ‘rast të dëmtuarit pësojnë lëndime të lehta trupore. Gjithashtu i pandehuri M. B. në kohë dhe vend të njëjtë, e në bashkëveprim me të pandehurit H.B., S.B. dhe të miturin E. B., pas një fjalosje paraprake me të pandehurin V. Gj. dhe të dëmtuarën B. Gj. me dashje përdorin forcën duke i goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, e me këtë rast pësojnë lëndime të lehta trupor”, thuhet në njoftim.

Sipas kumtesës për media, në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale përcjell Albinfo.ch.