Shqipëria

Rritje e udhëtarëve në Rinas, gati 3 milionë pasagjerë

Destinacioni kryesor ku udhëtohet nga dhe drejt Rinasit vijon të jetë Roma, me 329 mijë pasagjerë në 2018-n, me rritje prej 1.8% me bazë vjetore

Aeroporti i Rinasit në Tiranë po bëhet gjithnjë e më i zënë, teksa më shumë shqiptarë po udhëtojnë dhe të huajt që po vijnë për të kaluar pushimet në vend shtohen.

Në 2018-n trafiku në Aeroportin e Rinasit shënoi nivel rekord prej 2.95 milionë pasagjerësh, sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA). Në raport me vitin e mëparshëm, numri i pasagjerëve është rritur me rreth 12%, shkruan ‘monitor’.

Rreth 7% më shumë shqiptarë udhëtuan nga dhe drejt Rinasit në 2018-n, në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas shifrave të INSTAT. Por, lulëzim të vërtetë shënuan të huajt, trafiku i të cilëve në hyrje e dalje u rrit me 27%, pas zgjerimit me 29% të vitit të mëparshëm, duke e bërë periudhën 2017-2018 më të mirën në historinë e pastranzicionit për ardhjen e turistëve, përcjell albinfo.ch.

Fluksi i pasagjerëve me charter u rrit me 64% në 2018-n, ku ndikimin kryesor e dhanë linjat nga Polonia, Norvegjia, Izraeli, Ukraina, Çekia, Suedia, teksa agjencitë turistike në bashkëpunim me ato shqiptare sollën turistë në hotelet shqiptare, kryesisht në bregdetin e Durrësit, duke futur për herë të parë në mënyrë masive konceptin e “all inclusive” ose “half board”. Gjithsesi, Italia, ku jetojnë një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë, vijon të dominojë më shumë se gjysmën e tregut të fluturimeve, sipas numrit të pasagjerëve.

Destinacionet, kryeson Roma

Destinacioni kryesor ku udhëtohet nga dhe drejt Rinasit vijon të jetë Roma, me 329 mijë pasagjerë në 2018-n, me rritje prej 1.8% me bazë vjetore. Roma shërben jo vetëm si destinacion direkt, por edhe si tranzit për të udhëtuar në Evropë dhe jashtë saj.

Destinacioni i dytë është Milano, me 283 mijë pasagjerë, me rritje 6% në raport me një vit më parë. I treti është Bergamo, me 143 mijë pasagjerë (rritje 15%).

Destinacionet italiane që kanë parë rritjen më të madhe të trafikut të pasagjerëve janë Verona dhe Bolonja, me nga rreth 20% secila, ndërsa më pak i preferuar për t’u arritur me avion ka qenë Bari, që ka parë rënie vjetore prej 35%. Në total, pasagjerët nga dhe drejt Italisë ishin gati 1.56 milionë në vitin 2018 (rritje 6%). Stambolli është në vend të tretë, me 264 mijë pasagjerë (12.5% rritje). Stambolli është bërë konkurrues vitet e fundit si një destinacion tranzit, kryesisht i vendeve aziatike, por dhe destinacioneve të tjera të Evropës dhe atyre të largëta.

Vjena e ka humbur disi rëndësinë, si një nga pikat pika kryesore të kalimit drejt së gjithë Europës e jashtë saj. Në vitin 2018, nga dhe drejt Aeroportit të Vjenës udhëtuan rreth 168 mijë pasagjerë, duke shënuar për herë të parë rënie me rreth 4%, si rrjedhojë e rritjes së konkurrencës për tranzite nga Lufthansa, apo Turkish Airlines. Pas operimit të dy linjave direkte British dhe Wizz Air, Londra është bërë një destinacion i preferuar, me 143 mijë pasagjerë në 2018-n, me një rritje prej 15.3%.

Nga dhe drejt Athinës kanë udhëtuar rreth 100 mijë pasagjerë, me një rritje të ndjeshme prej gati 20%. Nga dhe për në Budapest, nga ku filloi fluturimet Wizz Air në 2017-n, udhëtuan rreth 49 mijë pasagjerë një vit më parë, me një rritje prej 70%. Për shkak të biletave të lira, Budapesti është shndërruar në një destinacion të preferuar turistik për shqiptarët, duke qenë një nga më të kërkuarit për kalimin e natës së ndërrimit të viteve. Amsterdami, një destinacion i ri i nisur në 2017-n ka parë rritje të ndjeshme edhe në 2018-n, me 40 mijë pasagjerë, me rritje 44%.