Lajme

Rusia hedh tetë raketa në bazën ukrainase afër kufirit me Poloninë

Ushtria ruse ka goditur me tetë raketa një bazë ushtarake ukrainase afër kufirit me Poloninë në orët e hershme të 13 marsit. Ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se forcat ruse do të përballën me luftime deri në vdekje nëse tentojnë të pushtojnë kryeqytetin Kiev.

“Pushtuesit kanë nisur sulme ajrore në Qendrën Ndërkombëtare për Ruajtje të Paqes dhe Sigurisë” në Javoriv, ka thënë administrata ushtarake e rajonit të Lvivit, në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.

“Sipas të dhënave preliminare, ata kanë hedhur tetë raketa”.

Sipas raportimeve të para, thuhet se “nuk ka të vdekur, mirëpo informacioni për të plagosurit është duke u verifikuar”, ka thënë Anton Mironovich, zëdhënës i Akademisë për Forcat Tokësore në ushtrinë ukrainase.

Objekti 360 kilometra katrorë është më pak se 25 kilometra larg kufirit polak dhe një nga qendrat më të mëdha në perëndim të Ukrainës.

Në këtë bazë, Ukraina mban shumicën e stërvitjeve me vendet anëtare të NATO-s.