Kosova

Nesër, seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës

Albin Kurti, ka paralajmëruar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të shtunën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për të shtunën, më 15 janar, në orën 14:00.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me zyrtarë të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, raportojnë mediat vendore, përcjell albinfo.ch.

Të premten, më 14 janar, zyrtarë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kanë thënë se me keqardhje kanë pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi. “Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, është thënë në deklaratë.

Referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar. Kosova ka thënë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, do të mund të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të mos rrisin tensionet lidhur me referendumin, të cilin e kanë cilësuar si “hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit” dhe për të rritur transparencën e institucioneve të shtetit dhe sundimit të ligjit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 13 janar se votimi në referendumin e një shteti tjetër, në një territor sovran, “nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”. Ai ka thënë se serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia që ai drejton “e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës”.

Edhe PDK e AAK janë shprehur se janë kundër këtij referendumi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do të ketë “pasoja të mëdha dhe më të gjera se sa pritej” nëse nuk do të hapen qendrat e votimit në Kosovë.