Koronavirusi: çast pas çasti

SHBA-ja zhbllokon fondet e Mijëvjeçarit për Kosovën pas heqjes së reciprocitetit

Pas heqjes së reciprocitetit me Serbinë, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC) ka njoftuar për rinisjen e zbatimit të programeve të zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Përmes një komunikate për media, MCC tha se mirëpret vazhdimin e partneritetit me Qeverinë e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin zgjidhjen e çështjeve të tarifave dhe heqjen e masave të reciprocitetit ndaj mallrave serbe. MCC do të rinisë zbatimin e programeve në Kosovë. Mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit me popullin dhe Qeverinë e Kosovës në punën tonë të përbashkët për të zbutur varfërinë përmes rritjes ekonomike”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, mirëpriti vendimin e MCC-së për të zhbllokuar fondet për Kosovën.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret vendimin e MCC-së për zhbllokimin e fondeve dhe rinisjen e zbatimit të programeve të zhvillimit në Kosovë”, tha Hoti përmes një postimi në Twitter, përcjell Albinfo.ch.