Koronavirusi: çast pas çasti

SHBA: Mbi 2 milionë të infektuar me Covid-19

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kaluar shifrën prej dy milionë të infektuarve me koronavirus.

Numri i rasteve me infeksion ka nisur të rritet pas pesë javësh rënieje. Rezultat i rritjes së rasteve është edhe shtimi i testimeve, që ka arritur rekord më 5 qershor me 545 mijë teste në një ditë.

Rritja e rasteve në ditët e fundit besohet të jetë si rezultat i lëvizjes më të lirë të qytetarëve dhe vazhdimit të punës për bizneset. Edhe protestat e shumta pa distancim social pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd në duart e policisë, mund të çojnë në tjetër shpërthim të rasteve, raporton kjo agjenci e lajmeve.

SHBA-ja si shteti me më së shumti raste të konfirmuara me virus, është edhe vendi me më së shumti viktima, me më shumë se 112 mijë persona që kanë vdekur.

Deri tash në gjithë botën janë infektuar më shumë se 7.3 milionë njerëz, ndërsa më shumë se 400 mijë kanë vdekur.