E-Diaspora

Shoqata humanitare „Salih Çekaj” në Zvicër shtroi ‘Darkën e Lamës’

„Darkën e Lamës“ me pjesëmarrjen e tyre e nderuan: Familja e Heroit Salih Çekaj, i vëllai z. Smajl Çekaj me djalin e Heroit, Hysenin, z. Ylfete Fanaj - shefe e Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate (SP) në Lucern etj.

Nën organizimin e kryesisë dhe me angazhimin e aktivistëve të Shoqata humanitare „Salih Çekaj„ në Zvicër, të shtunën, më 23 nëntor, u kremtua festa tradicionale ‘Darka e Lamës’.

Manifestimi filloi me intonimin e himnit dardan „Kur ka ra Kushtrimi n‘Kosovë“ , duke vazhduar me monologun „Për lirinë e plagosur“, interpretuar nga moderatori dhe anëtari i kryesisë së shoqatës „Salih Çekaj“, z. Qamil Çekaj.

„Darkën e Lamës“ me pjesëmarrjen e tyre e nderuan: Familja e heroit Salih Çekaj, i vëllai z. Smajl Çekaj me djalin e heroit, Hysenin dhe të afërm të tjerë. Pastaj, Mr. Besnik Rraci, zyrtar nga Muzeu i Kosovës, z. Ylfete Fanaj – shefe e Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate (SP) në Lucern, si dhe ish-kandidate në zgjedhjet nacionale të Zvicrës, përfaqësuesi i shoqatës së ushtarakëve të FARK-ut z. Jahir Maleta, veprimtari nga Gjermania Reshat Murati etj.

Një fjalë rasti e mbajti Kryetari i shoqatës, z. Xhemajl Haxhiu, në të cilën i përshëndeti dhe u uroi mirëseardhje të pranishmëve.

Në vazhdim arkëtari i shoqatës, z. Lush Mulaj, paraqiti në detaje raportin njëvjeçar të punës, duke i falënderuar të gjithë donatorët dhe kontribuesit e shoqatës për ndihmën e dhënë.

Kryesia e shoqatës për kontributin e dhënë ndër vite e nderoi dhe e shpalli „Kryetar nderi të shoqatës“ z. Saim Tahiraj, ish-kryetar dhe bashkëluftëtar i heroit Salih Çekaj.

Evenimentin e Sofrës Dardane në Büron të Lucernit e kanë gjallëruar këngëtarët e mirënjohur Vëllezërit Alimusaj, duke veçuar këngën “Fol o Salih Çekaj!”, si dhe këngëtarë të tjerë, të cilët u prezantuan me këngë e valle nga reportori i tyre.

Manifestimin e përshëndetën; vëllai i Heroit Salih Çekaj, z. Smajl Çekaj, në të cilën i përgëzoi dhe falënderoi për ftesën dhe organizimin si dhe veprimtarinë e tyre në ndihmë të nevojtarëve. Pastaj përshëndeti, ish ndihmësi i Ministrit të Mbrojtjes Kol. Ahmet Krasniqi dhe zëvendës komandant i Zonës së Pashtrikut; Kolonel Z. Sylejman Kollqaku, i cili evokoi kujtime nga takimet me Saliun. Njëherësh, në emër të shoqatës, kryetari z. Xhemajl Haxhiu i ndau një Mirënjohje z. Kollqaku. Gjithashtu një Mirënjohje për z. Kollqaku, ndau edhe në emër të Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë në Zvicër z. Abas Fejzullahi , kryetar.

Të pranishmit i përshëndeti edhe analisti z. Florim Zeqa, i cili kishte ardhur enkas nga Italia, duke falënduar organizatorin për ftesën.

Në vazhdim veprimtari z. Hamzë Morina, foli për librin monografik me titull: “Kontributi i Dr. Ibrahim Rugovës për shteformimin e Kosovës”, me autorë: Dr.Sadik Krasniqi dhe Mr.Besnik Besnik Rraci.

Në emër të kryetarit të Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, i cili i kishte ndarë Mirënjohje Shoqatës „Salih Çekaj” në Zvicër, z. Xhemajl Haxhiu, mirënjohjen ia dorëzoi z. Bekë Osmonaj, luftëtar i luftës në Koshare dhe veprimtar.

Në Zvicër Darka e Lamës shtrohet tani më për çdo vit nga Shoqata humanitare “Salih Çekaj” në Zvicër, dhe është bërë tradicionale.

Siç dihet, Darka e Lamës është një festë që është mbajtur prej qindra e mijëra vjetësh, në shenjë falënderimi për të mirat dhe begatinë e vitit.

Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova Festën e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës, e kishte cilësuar si një festë tradicionale popullore dhe familjare të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare. Kjo është një ditë sipas traditës shqiptare që i bashkon të gjithë përreth sofrës të begatë, kur bëhemi bashkë me më të dashurit tanë, pas punëve të kryera të stinës.

Darka e Lamës kësaj here në Büron, ishte e veçantë pasi që “Sofra Dardane” ishte e rrethuar nga veprimtarë, personalitete të njohura shoqërore-kulturore e artistike. Në ballë qëndronin veprimtarë e atdhetarë të njohur në Zvicër dhe mysafirë të ardhur nga Gjermania dhe shtetet fqinje e më gjerë.

Nën organizimin e shkëlqyer të Shoqatës humanitare „Salih Çekaj„ në Zvicër, ky manifestim prezantoi traditën tonë duke filluar nga ambienti tradicional, ushqimi, lojërat e ndryshme, pritja dhe përcjellja e mysafirëve, e pastaj duke e kurorëzuar të gjithën me muzikë dhe vallet tona të bukura.

Mërgimtarët tanë po dëshmojnë edhe një herë që integrimi i mirë dhe ruajta e praktikimi i traditave, vlerave dhe zakoneve tona të lashta jane dy shtylla të rëndësishme që nuk e përjashtojnë njëra tjetrën, por përkundrazi ato e fuqizojnë dhe i japin vlerë vetë identitetit tonë të lashtë.

Në përmbyllje të gjithë u ndanë të kënaqur me program dhe me mikpritje, duke u krenuar me traditën dhe zakonet tona.

(Teksti: Haki Latifi; Fotot: Reshat Murati)