Lajme
Shoqata “Parandalo” kërkon mbrojtje institucionale për personat me aftësi të kufizuara
"Parandalo", me thirrje institucionale në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara: Më shumë mbrojtje, më shumë pjesëmarrje, më shumë barazi
Në kuadër të 3 Dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara – Shoqata Parandalo ka publikuar një deklaratë zyrtare përmes së cilës kërkon forcimin e mbrojtjes institucionale, rritjen e pjesëmarrjes dhe garantimin e barazisë për personat me aftësi të kufizuara në Zvicër, me theks të veçantë te gratë me prejardhje migrimi.
Organizata thekson se gratë me aftësi të kufizuara dhe prejardhje migrimi përballen me rrezik më të lartë të diskriminimit të shumëfishtë, shpesh të padukshëm në hapësirën publike dhe në politikat sociale. Për këtë arsye, Parandalo kërkon masa më konkrete, struktura më të forta mbështetëse dhe mekanizma të qartë mbrojtjeje që u garantojnë siguri, vetëvendosje dhe qasje të barabartë në shërbime.
Deklarata e kësaj date lidhet gjithashtu me fushatën e përvitshme zvicerane “16 ditët kundër dhunës me bazë gjinore”, e cila zhvillohet nga 25 Nëntori deri më 10 Dhjetor dhe ku çdo vit marrin pjesë mbi 300 organizata në nivel vendi. Fushata koordinohet prej 18 vitesh nga organizata feministe për paqe FRIEDA dhe çdo edicion trajton një temë qendrore të re.
Për vitin 2025, fokusi kombëtar është vendosur mbi lidhjen midis dhunës me bazë gjinore dhe aftësisë së kufizuar – një realitet që shpesh nuk pasqyrohet mjaftueshëm në diskutimin publik. Sipas vlerësimeve të organizatave partnere, gratë me aftësi të kufizuara janë në mënyrë disproporcionale të ekspozuara ndaj formave të dhunës në ambientin familjar dhe shpesh përballen me barriera të mëdha për të kërkuar ndihmë apo mbrojtje.
Shoqata Parandalo është pjesë e organizatave partnere të kësaj fushate, me qëllim që të shtojë dukshmërinë e kësaj tematike dhe të nxisë reforma në politika, në praktikat profesionale dhe në ndërgjegjësimin shoqëror.
Në deklaratën zyrtare, Parandalo thekson se mbrojtja e personave me aftësi të kufizuara nuk mund të jetë vetëm një çështje sensibilizimi, por një përgjegjësi institucionale dhe shoqërore. “Kërkojmë më shumë mbrojtje, sisteme më të forta mbështetjeje dhe barazi të vërtetë për gratë me aftësi të kufizuara. Çdo person duhet të jetojë i sigurt, me dinjitet dhe pa dhunë”, theksohet në thirrjen e Shoqatës.
Deklarata përmbyllet me nënshkrimet zyrtare të Valdete Hotit, kryetare e Shoqatës Parandalo, dhe Xhemal Selimit, udhëheqës i Qendrës Parandalo, të cilët theksojnë angazhimin e vazhdueshëm të organizatës për avancimin e të drejtave dhe përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në Zvicër.
Cyrih, 3 dhjetor 2025
(L.A.)
E-Diaspora
-
“The Guestkeepers” sjell mikpritjen kosovare në Zvicër: një fundjavë kulturore e pasur me dialog dhe interaktivitet Në thelb të kësaj fundjave ishte projekti “The Guestkeepers”, i cili synon të trajnojë të rinjtë... -
Gjermani
Humb jetën në aksident trafiku në Gjermani një 30-vjeçar nga Kosova -
Trupa e teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” shfaq me 27 prill vepren “Vojçeku” në Vjenë -
Ftesë për lexim letrar dhe diskutim me autoret Jehona Kicaj dhe Elona Beqiraj -
Argjentinë
Diaspora shqiptare në Argjentinë, tradita që ruhet brez pas brezi
Jeta në Zvicër
-
Presidenti Parmelin viziton Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut Vizita në Serbi bëhet më 28 ndërsa ajo në Maqedoninë e Veriut, që është vizita e... -
Sarnen (Obwalden): I burgosuri vdes pas zjarrit në qeli -
Trimbach SO: Një trafikant shqiptar droge kapet me disa kilogramë heroinë -
A po mbetet Zvicra prapa në transformimin e saj digjital? -
A do të kompensoheni nëse fluturimi juaj anulohet për shkak të mungesës së karburantit?












