Turizëm

Shqipëria si Karaibet, 5 arsye për ta vizituar më 2020

Në artikullin e një turisti britanik të publikuar në faqen online The Points Guy UK (https://thepointsguy.co.uk/about/) listohen pesë arsye për të vizituar Shqipërinë në vitin 2020, si dhe eksperienca e tij personale

“Mund të them se ndoshta Shqipëria nuk është në listën tuaj të vendeve për të vizituar këtë vit. Në të vërtetë, nuk ishte as në listën time, por pres me padurim të rikthehem atje”, e nis shkrimin blogeri.

Gjatë nëntorit të vitit të kaluar shkova atje për të fituar pikët Tier të kompanisë British Airways. Për 209 funte, duhej të zgjidhja mes Helsinkit (HEL), Tiranës (TIA) dhe Sofjes (SOF), ku nuk kam qenë kurrë më parë. Në përgjithësi kisha dëgjuar gjëra të mira për Tiranën dhe Shqipërinë, kështu që vendosa të shkoj atje dhe duhet thënë se u befasova, transmeton ATSH.

Është lirë

Kur them lirë, e kam fjalën shumë lirë. Birra më e lirë që munda të gjej kushtonte 1,40 funte. Ushqimi në restorante ishte shumë lirë. Një mëngjes hëngra një vakt të bollshëm e dy kafe dhe totali ishte 5 paundë.

Të ndalosh për të pirë kafe gjithashtu kushton shumë pak. Dy kafe dhe një shishe uji kushtuan më pak se 2 funte.

Alkoli ishte gjëja më e shtrenjtë që blemë. Por dhe pijet ose koktejlet ishin rreth 7 funte në zonën e Bllokut.

Për një udhëtim që zgjati tre ditë, shpenzova 100 funte, përfshirë të ngrënat në restorante, alkolin, si dhe taksinë vajtje-ardhje nga aeroporti. Nëse do të isha treguar më i kursyer ndoshta do t’i kisha bërë të gjitha këto duke shpenzuar nën 50 funte, përcjell albinfo.ch.

Plazhe të bukura

Në jug, në afërsi të kufirit grek, në Sarandë dhe Ksamil gjenden resorte shumë të bukura bregdetare. Në veri të kryeqytetit, Tiranës, vetëm 30 minuta larg saj, gjendet qyteti bregdetar i Durrësit.

Më në jug Ksamili është i mrekullueshëm. Me ujin e pastër si kristal do të mendoni se jeni në Karaibe. Rëra ishte e imët dhe e butë dhe perëndimet e diellit ishin fantastike.

Është relativisht e pazbuluar

Mungesa e turistëve në qytet është një nga gjërat që dallonte. Nuk mbaj mend të kem hasur francezë, spanjollë, grekë ose ndonjë gjuhë tjetër të flitej në rrugë. Si linguist, këto janë gjërat e para që vë re kur vizitoj qytete të reja. Nuk jam fare i rrjedhshëm në gjuhën shqipe, por e njoha dhe dhe ajo ishte gjuha kryesore që dëgjova gjatë qëndrimit atje.

Mungesa e turizmit në fund të nëntorit në Tiranë ndoshta ka kuptim. Megjithatë, në sezonin e verës kam përshtypjen se në qytetet bregdetare do të jetë ndryshe.

Restorante dhe kafene të mrekullueshme

Hëngra në çdo lloj restoranti në Tiranë për të kuptuar kuzhinën dhe kulturën e vërtetë shqiptare. Herën e parë hëngrëm në një restorant shumë të thjeshtë të quajtur Kernace Zgare Fatosi, jo shumë larg nga sheshi Skënderbej. Lokalet e vendosura buzë rrugës i jepnin vendit një ndjenjë të sofistikuar dhe ishin të mbushura me vendas që ndalonin për të pirë një birrë ose për të ngrënë diçka rrugës për në punë.

Menuja ishte kryesisht mish i pjekur në zgarë, gjë që dukej të ishte elementi kryesor kudo që shkonim. Porositëm disa gjëra ndryshe nga menuja dhe gjithçka ishte vërtetë e shijshme. Kur erdhi moment i pagesës u befasuam nga çmimi, dy birra dhe ushqimi i bollshëm kushtuan rreth 12 funte.

Nga ana tjetër, një natë darkuam tek Restorant Piceri Era në Bllok. Si antipastë bëmë një përzgjedhje, por çfarë përzgjedhjeje. Kamarieri u përpoq të na shpjegonte sa më mirë gjithçka por u ngatërrua pak në përkthim. Gjithçka që hëngrëm ishte fantastike.

Si pjatë kryesore kamarieri na rekomandoi fërgesën shqiptare. Ishte shumë e shijshme. Do doja ta kisha ditur se përbërësi tjetër kryesor ishte qumështi i fermetuar.

Edhe në jug do të gjeni gatim të mirë. Ne shkuam tek Restoranti Guvat në Ksamil, që është zonë turistike dhe në sezonin e verës çmimet rriten. Tek Guvat një vakt i plotë me koktejle dhe verë kushton rreth 70 paundë.

Moti

Gjatë vizitës time në fund të nëntorit, temperaturat arritën rreth 18-20°C për tre ditë, dukshëm më ngrohtë se në Britaninë e Madhe. Temperaturat në dimër ulen më shumë, por në pjesën më të madhe të kohës nuk ka shumë reshje shiu dhe ka diell. Falë klimës mesdhetare, stina e verës në Shqipëri zgjat shumë, është e thatë dhe temperaturat arrijnë në 30 °C.

Për ta mbyllur, nuk kam asnjë gjë të keqe për të thënë lidhur me vizitën time në Shqipëri. Edhe salla e aeroportit ishte e mirë. Nëse po kërkoni vend të ri me ushqime të lira dhe të shijshme, si dhe plazhe të bukura, atëherë anuloni udhëtimin në Marbeja dhe shkoni në Shqipëri. Më besoni, nuk do të zhgënjeheni.