Kosova
Shtypi zviceran për marrëveshjen: Serbia pranon De Facto shtetin e Kosovës
"Edhe nëse Vuçiq dhe mediat që i binden atij ende e mbajnë atë nën mbulesë, është e qartë se Beogradi është pajtuar me faktin se një shtet i ri ka dalë në territorin e tij"
Pranimi, në parim, që ndodhi dje, i planit franko-gjerman nga ana e kryeministrit të Kosovës, Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, përbën temë me rëndësi në mediat e Zvicrës në gjuhën gjermane, dje dhe sot. Ato, kryesisht e përshkruajnë si një marrëveshje racionale, që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy fqinjëve të armiqësuar, shkruan albinfo.ch. Por, vlerësimi i tyre për marrëveshjen shkon deri te një njohje “de facto” ose “indirekte” e shtetit të Kosovës nga Serbia.
NZZ: Edhe pa njohje zyrtare, Kosova dhe Serbia duan të sillen si vendet normale fqinje
Serbia dhe Kosova miratuan një plan për normalizimin e marrëdhënieve të tyre në Bruksel. Ky është një hap i rëndësishëm, por nuk është ende hyrje në një epokë të re. Kjo, për faktin se aneksi i planit, i cili rregullon zbatimin konkret, ende nuk është rregulluar. Dhe ka ende shumë gjëra që mund të shkojnë keq. Megjithatë, rruga është hartuar”. Kështu shkruan në gazetën NZZ analisti i njohur, ish korrespondenti për Ballkan, Andreas Ernst.
Ai më tutje thotë se “Serbia në fakt e njeh shtetin e Kosovës, edhe pse jo sipas të drejtës ndërkombëtare. Dokumentet personale, emblemat kombëtare dhe certifikatat arsimore pranohen reciprokisht. Ka përfaqësi të përhershme reciproke në kryeqytetet përkatëse dhe Serbia nuk do të pengojë më hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Pakicës serbe në Kosovë do t’i jepet e drejta e vetëqeverisjes në një masë të kufizuar. Ajo mund të marrë fonde për këtë nga Beogradi dhe ka qasje të drejtpërdrejtë në qeverinë qendrore në Prishtinë.
Edhe nëse presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe mediat që i binden atij ende e mbajnë atë nën mbulesë, është e qartë se në afat të gjatë Beogradi është pajtuar me faktin se një shtet i ri ka dalë në territorin e tij pas luftës së viteve 1998-99. Është e vështirë të imagjinohet se njohja faktike e këtij fakti nuk do të pasohet një ditë nga një njohje sipas të drejtës ndërkombëtare.
Në vazhdim, analisti thotë se, në rrethanat e reja, edhe Kosova merr detyrime për mbrojtjen e vërtetë (dhe jo “vetëm në letër”, siç e shkruan ai) të të drejtave të pakicës serbe.
Gazeta tjetër e madhe zvicerane, Tages Anzeiger, lidhur me takimin Kurti – Vuçiq shkruan veç tjerash: Të dy kundërshtarët u takuan në Bruksel për një raund të ri të të ashtuquajturit dialogu Beograd-Prishtinë, përcjell albinfo.ch. Ata, këtë herë nuk duhet vetëm të flasin, ata duhet edhe të japin. Në tryezë është një plan me dhjetë pika që të dyja palët supozohet të nënshkruajnë deri në mars.
Tages Anzeiger: Njohje indirekte
Edhe kjo njohje, qoftë indirekte e pavarësisë shtetërore të Kosovës është një hap i madh për presidentin serb. Një opozitë e radikalizuar e paralajmëron Vuçiqin për “tradhti”. Por presioni ndaj Albin Kurtit është ndoshta edhe më i madh, edhe ai do të duhet të kapërcejë hijen e tij për të realizuar një marrëveshje.
BE-ja dhe SHBA-ja po kërkojnë nga ai pak a shumë si ultimatum që kreu i qeverisë të lejojë një rrjet prej dhjetë komunash me shumicë serbe me vetëqeverisje të gjerë. Kurti i frikësohet një skenari si ai në Bosnjë, ku Republika Srpska po bllokon të gjithë shtetin dhe vazhdimisht kërcënon shkëputjen, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, kryeministri i Kosovës së fundmi ka sinjalizuar fleksibilitet dhe gjithashtu e ka vënë Vuçiqin nën presion.
Por pse befas ky nxitim, ky presion nga perëndimi? Lufta e Rusisë kundër Ukrainës luan një rol këtu. Ballkani është krahu i hapur i Evropës, të cilin Moska e përdor me zgjuarsi për të nxitur tensionet latente dhe për të bërë presion shtesë mbi Perëndimin, shkruan veç tjerash, gazeta Tages Anzeiger.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka zgjedhur Kryesinë e re Në fjalën e tij pas zgjedhjes, Kryetari i ri, z. Zenun Krasniqi, falënderoi anëtarët për besimin... -
Prishtina fiton Kupën e Diasporës, pas penalltive mposht Kosovën e Gjenevës -
Dua Lipa në International Booker Prize Awards: Letërsia është ura më e fortë mes kulturave -
Mos i hidhni zarfet e votimit në kosh, vota juaj mbron pagën dhe të ardhmen në Zvicër -
Lozanë: Lot, emocione dhe kujtesë në promovimin e librit “Për ata që nuk u kthyen”
Jeta në Zvicër
-
Shumë të moshuar për të marrë me qira: Diskriminimi zviceran ndaj të moshuarve në pasuri të paluajtshme Një çift pensionistësh dëshmon në programin On en parle: pavarësisht pensioneve AHV, kursimeve dhe mungesës së... -
Tërheqjet e produkteve që nuk përputhen me standardet janë gjithnjë e më të shumta në Zvicër -
“Zhurmë për vjedhje”: Sanduiçët peshojnë 14 gramë më pak, reagon Migros -
Zvicër: Proces gjyqësor me një çift serb dhe 40 gra të skllavëruara si pastruese -
Pse mbajtësit e lejes B në Zvicër fitojnë më shumë se banorët e përhershëm?














