Koronavirusi: çast pas çasti

Si do të punojmë pas pandemisë?

Më poshtë është një tablo se si do të duket forca e punës post-pandemi në disa nga kompanitë e mëdha

Kompanitë po veprojnë në mënyra të ndryshme. Disa po angazhohen që të gjithë punonjësit të punojnë nga shtëpia, ndërkohë që të tjera po zbatojnë një proces hibrid, në të cilin punonjësit do të punojnë pjesërisht në zyrë e në pjesën tjetër nga shtëpia, transmeton Monitor, përcjell albinfo.ch.

Google

Punonjësit e Google nuk do të kthehen në zyrë, të paktën deri në shtator, dhe ata mund të mos jenë aty nga e hëna në të premte. Gjiganti i teknologjisë do të provojë një model elastik për javën e punës, që do t’i kthejë punonjësit në zyrë të paktën tre ditë në javë “për ditët e bashkëpunimit”. Kompania po ndryshon edhe hapësirat e zyrave duke krijuar hapësira bashkëpunimi të rezervuara dhe hapësira të jashtme për mbledhjet e ekipit.

Reddit

Kompania me seli në San Francisko njoftoi në tetor se do t’u japë mundësinë gjithë punonjësve të punojnë ku të duan, në zyrë, në shtëpi, apo pak nga të dyja. Reddit tha gjithashtu se për punonjësit që dëshirojnë të transferohen, paga e tyre nuk do të ndryshojë.

Microsoft

Në tetor, Microsoft deklaroi se po merr në konsideratë punën nga shtëpia më pak se gjysma e kohës si “standard” për pjesën më të madhe të pozicioneve, së bashku me orarin fleksibël. “Të ecim para – është qëllimi ynë të ofrojmë sa më shumë fleksibilitet të jetë e mundur, duke mbështetur stilet e punës individuale, duke balancuar në të njëjtën kohë nevojat e biznesit dhe duke garantuar kulturën e punës” thuhet në një postim në blog.

Twitter

Punonjësit në Twitter, nëse duan të punojnë nga shtëpia përgjithnjë, mund ta bëjnë këtë – tha kompania në një deklaratë gjatë vitit.

Dropbox

Në tetor, Dropbox tha se po bëhej “virtuale para së gjithash”. Kjo do të thotë që thuajse 3 mijë punonjësit do të punojnë në distancë në pjesën më të madhe të kohës dhe do të shkojnë në zyrë për më shumë bashkëpunim. Kompania ndërkohë po rinovon edhe zyrat për të lehtësuar këtë ndryshim.

Unilever

Unilever është duke eksperimentuar një javë pune me katër ditë, me pagesë të plotë për punonjësit e saj në Zelandën e Re. Eksperimenti do të zhvillohet nga dhjetori 2020 deri në dhjetor 2021. Kompania tha se do të analizojë këtë provë për zbatimin në një shkallë më të gjerë në forcën e punës.

REI

Shitësi me pakicë tha në fillim të këtij viti se “do të mbështetet në punën në distancë” dhe më vonë shiti kampusin e sapondërtuar 400,000 metra katrorë në Bellevue, Uashington.

Në vend që të ketë një seli të madhe, kompania planifikon të ketë vende të shumta satelitore në të gjithë rajonin dhe t’u hapë punëtorëve më shumë fleksibilitet kur bëhet fjalë për vendin ku ata mund të jetojnë dhe punojnë.

Nationwide

Kompania e sigurimeve njoftoi në prill synimin për t’u shndërruar përfundimisht në një model hibrid operativ, me punonjësit që punojnë kryesisht nga zyra në katër kampuse kryesore dhe në shtëpi, në pjesën më të madhe të selive.