Kosova

Si e pa fotografi zviceran Kooperativën “Filigran” të Prizrenit

"Kjo traditë mijëravjeçare e filigranit duket se ka mbetur mbrapa në kohë, në një luftë të vazhdueshme për ta ruajtur atë për brezat e rinj..."

Lorenzo Barelli, një fotograf nga Zvicra, ka realizuar një fotoreportazh interesant nga puna e “Kooperativës Filigran” në Prizren. Ai e ka dërguar në albinfo.ch këtë fotoreportazh të shkruar në gjermanishte dhe në frëngjishte, të cilin ne po e publikojmë edhe në gjuhën shqipe.

Në vijim, reportazhi i shkruar në mënyrë “filigranike” nga Barelli.

Përkufizimi në Wikipedia i shprehjes “filigran” duket kështu: “… Ka të bëjë posaçërisht me bizhuteri antike; bëhet fjalë për tela të hollë metali, ari ose argjendi, të përdredhur ose jo, të cilët ngjiten në një pllakë metalike ose në mes dhe që mes tyre lihen hapësira boshe. Filigrani krijon kështu një “Efekt të thurjes”.

Argjendaria etruske e ka përdorur atë që nga periudha orientale e saj …”. Fatkeqësisht, lavdia e së kaluarës ka ikur prej kohësh … Koha kur kompania (“Filigran” e Prizrenit) kishte pothuajse 150 të punësuar ka mbaruar …

Kur sot hyjmë në një punëtori të vogël, të siguruar nga komuna e Prizrenit, ne mund të shohim një numër të punësuarish që mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. Dhe kjo traditë mijëravjeçare e filigranit duket se ka mbetur mbrapa në kohë, në një luftë të vazhdueshme për ta ruajtur atë për brezat e rinj.

5 punëtorët e pranishëm janë të gjithë mbi 60 vjeç. Një nga këta, është një grua, e cila, duke pasur parasysh saktësinë e synuar të punës duket si kirurge, transmeton albinfo.ch. Është 72 vjeçe dhe ushtron prej 50 vjetësh këtë profesion, i cili është bartur nga babai tek djali.

Ajo tashmë ka parë shumë në jetën e saj. Ka përjetuar frikën dhe dhimbjen e dy luftërave, asaj të ish Jugosllavisë dhe kësaj të fundit, për pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, sytë e saj tregojnë akoma një pasion të madh për punën që bën.

Është ora 8:30 e mëngjesit kur futem në këtë cep të së kaluarës. Tavolinat e punës e ndiejnë peshën e dekadave, makinat shtypëse janë gjithashtu shumë të vjetra, por të konstruktuara fuqishëm dhe akoma funksionale.

Dritat e neonit nuk ndihmojnë shumë për të krijuar një ambient të ngrohtë dhe mikpritës, por njerëzit që punojnë këtu e bëjnë këtë dhe më mirëpresin me krahëhapur. Sot ata do të më tregojnë se si punohet një nga pjesët e tyre unike! Sepse me këtë teknikë manuale, asnjë pjesë nuk do të jetë kurrë plotësisht identike.

Më takon mua të përpiqem të kap në fotografi vështirësinë dhe vlerën e punës së tyre.

Hapi i parë në përfundimin e kësaj pune është shkrirja e copave të argjendit me 2% bakër në një lloj shufre me diametër prej një centimetri, përcjell albinfo.ch tekstin e fotografit zviceran. Pas ftohjes, pjesa kalon nëpër një shtypëse disa herë (FOTO 1), duke krijuar një fije të gjatë të trashë disa milimetra. Pas një kalimi të shkurtër nën ndezës, litari (teli) vendoset më pas në një shtypës tjetër, i cili formon telat me dimensionet e kërkuara për trajtimin konkret (0,5 mm, 1 mm, etj.).

Atëherë mund të fillojë puna e mirëfilltë për prodhimin e varëses sonë.

Në tryezën e punës (FOTO 2) janë pothuajse të gjitha mjetet e përdorura në një kaos të rregullt, siç është një copë metalike e prerë shkallë-shkallë, e cila tregon madhësinë që do të përdoret në varësi të pjesës që do të prodhohet. Këtu, papritmas, të gjithë janë të zënë duke u përqëndruar në këta hapa të vegjël, aq sa duket sikur asgjë nuk mund t’i shqetësojë ata.

Përnjëherë ata janë aty, “5 musketarët” tanë (FOTO 3), duket pothuajse sikur përbëjnë një njësi prapa stacionit të tyre të vjetër, transmeton albinfo.ch. Mundohem të jem gati i padukshëm që të mos i shqetësoj dhe e vetmja gjë që prish heshtjen është klikimi disa herë i kapakut të kamerës.

Kohë pas kohe, më duhet të bëj një pauzë dhe në heshtje të vëzhgoj aftësinë me të cilën këta magjistarë punojnë filigranin.

Ndiej një respekt të madh për zonjën para meje (FOTO 4) e cila rrallë ngre kokën për të parë hap pas hapi dritën në këtë vepër arti. Kohë pas kohe ajo më jep shikime të fshehta dhe një buzëqeshje të vogël sikur për të më thënë … mos u merakos, nuk më shqetëson.

Në ndërkohë, korniza e varëses time është e gatshme dhe po mbushet me copa të imëta të palosura (FOTO 5) që formojnë një lloj maje brenda. Ashtu si punimi i një mozaiku, kjo perlë e vogël ngadalë merr formën e saj përfundimtare. Pluhuri i argjendit që vendoset në objekt është si përbërësi i fundit, magjik.

Flaka e përdorur me zgjuarsi nga mjeshtri ynë (FOTO 6) më në fund çimenton këtë vepër të vogël artistike.

Pasi varësja të jetë ftohur në ujë dhe të kalojë përmes një tretësire acidi që parandalon oksidimin, ne shohim duart e mikut tonë, të lodhura nga puna e viteve të tëra, makineritë e trajtimit dhe solucionet e acidit, por gjithmonë të sakta, duke na treguar me krenari rezultatin përfundimtar (FOTO 7).

Dhe sikur të ndienin një detyrim ndaj meje, ata ma dhurojnë këtë varëse të vogël… Nuk ka ndonjë vlerë të madhe ekonomike në këtë stoli, por një vlerë të madhe simbolike dhe emocionale, sikur të isha adoptuar nga këta njerëz në një farë mënyre!

Kujtime të mrekullueshme të përjetësuara nga fotot e mia modeste. Foto nga Lorenzo Barelli, fotografi zviceran në Prishtinë


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI