Koronavirusi: çast pas çasti

Situata me pandeminë në Evropë

Franca ka numrin më të lartë të rasteve në Evropë, me 1.6 milionë të infektuar

Rajonet italiane të goditura më keq nga vala e dytë e koronavirusit hynë në një bllokim të ri, pasi vendi arriti numrin më të lartë të rasteve të reja ditore të të infektuarve dhe viktimave një ditë më parë.

Italia është në shtetrrethim nga ora 10 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit në mbarë vendin, me baret dhe restorantet që mbyllen në orën 6 të pasdites, ndërsa në zona të caktuara kufizimet janë edhe më të ashpëra.

Banorët në rajonet e “zonës së kuqe”, si Lombardia, Piemonte, Valle d’Aosta dhe Kalabria, mund të dalin nga shtëpia vetëm për nevojat kryesore, shëndetësore dhe për punën.

Ata që ndodhen në “zonat portokalli” janë të ndaluar të dalin nga qytetet e tyre, lejohen vetëm për arsye pune ose shëndetësore. Baret dhe restorantet janë të mbyllura, përveçse për të marrë dhe dorëzuar porosi, transmeton Monitor, përcjell albinfo.ch.

Italia raportoi 35,505 raste të reja dhe 445 vdekje të enjten. Këto shifra “nuk janë një shenjë e mirë”, tha Gianni Rezza, drejtor i departamentit të parandalimit të Covid-19. “Virusi po zhvillohet dhe ne duhet ta ndalojmë atë.”

Masat e kufizimet në rajone, të cilat kanë hyrë në fuqi kanë një afat 15 ditor, ndërsa masat në nivel kombëtar do të jenë në fuqi deri në 3 dhjetor.

Ndërkohë Parisi, kryeqyteti francez njoftoi gjithashtu masa më të rrepta, ndërsa vendi raportoi një rekord me mbi 58 mijë raste të reja në 24 orët e fundit.

Franca ka numrin më të lartë të rasteve në Evropë, me 1.6 milionë të infektuar.

Nga sot, në Paris, shpërndarja e ushqimit, marrja dhe shitja e alkoolit janë të ndaluara midis orës 22:00 dhe në 6 të mëngjesit, tha policia.

“Vala e dytë tashmë është mbi ne dhe është brutale,” deklaroi ministri francez i shëndetësisë Olivier Véran. Nëse virusi vazhdon të përhapet me këtë ritëm, ai tha se “vala e dytë mund të jetë më e keqe dhe më e gjatë” se e para dhe mund të duhet “deri në mes të dhjetorit” për t’u stabilizuar.

Véran u bëri thirrje njerëzve të respektojnë bllokimin kombëtar, ose të përballen me “një rrezik mbipopullimi” të spitaleve deri në mes të nëntorit.

Situata në Evropë

Vendet në të gjithë Evropën po raportojnë shifra rekord të rasteve më koronavirus, ndërsa shqetësimet rriten për kapacitetin spitalor, ndërsa kufizime të reja janë vendosur në të gjithë kontinentin.

Gjermania

Gjermania regjistroi një rekord të ri të rasteve ditore, me mbi 20 mijë të infektuar në një ditë, sipas qendrës për parandalimin e sëmundjeve, Instituti Robert-Koch. Ndërkohë, numri i njerëzve që kërkojnë kujdes intensiv për shkak të Covid-19 është dyfishuar në 10 ditët e fundit, deklaroi ministri gjerman i shëndetësisë Jens Spahn.

Mbretëria e Bashkuar

Britania e Madhe hyri një ditë më parë në një bllokim të dytë, duke iu kërkuar njerëzve të qëndrojnë në shtëpi në shumicën e rrethanave. Të paktën 104 persona u arrestuan në një protestë kundër bllokimit të enjten në mbrëmje.

Danimarka

Qeveria daneze ka njoftuar kufizime të reja në shtatë komuna pasi Skencëtarët identifikuan një mutacion të koronavirusit tek nuselalat daneze. Shkencëtarët paralajmërojnë se ky lloj mutacioni që ka pësuar COVID-19 mund të përhapet edhe tek njerëzit. Qeveria njoftoi se restorantet, pub-e, lokalet muzikore dhe transporti publik do të mbyllen në bashkitë e prekura.

Rusia

Rusia raportoi 20,582 raste të reja me koronavirus këtë të premte, numri më i lartë i rasteve që ka raportuar ndonjëherë në një ditë të vetme. Javën e kaluar, rregullatori shëndetësor i Rusisë vendosi maskën e detyrueshme në të gjithë vendin.