Botërori 2026

Spanja shkon në pushim në avantazh 1:0 ndaj Francës

Spanja po e mbyll pjesën e parë me epërsi 1-0 ndaj Francës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, në ndeshjen që po zhvillohet në Dallas.

Skuadra e Luis de la Fuentes ka qenë më e qetë dhe më efikase në 45 minutat e para, duke kontrolluar ritmin e lojës dhe duke frenuar sulmin e Francës.

Goli i avantazhit për Spanjën erdhi në minutën e 22-të nga pika e bardhë. Lamine Yamal fitoi një penallti pas ndërhyrjes së Lucas Dignes në zonë, ndërsa Mikel Oyarzabal mori përgjegjësinë dhe realizoi me saktësi për 1-0, transmeton albinfo.ch.

Franca e Didier Deschamps nuk arriti të krijojë shumë rrezik para portës së Unai Simonit. “Gjelat” patën vështirësi të depërtojnë përballë mbrojtjes së organizuar spanjolle dhe gjatë pjesës së parë nuk regjistruan asnjë goditje në kuadrat.

Problemet për Francën u shtuan në minutën e 30-të, kur William Saliba u dëmtua dhe u zëvendësua nga Maxence Lacroix.

Spanja ishte pranë golit të dytë në minutën e 38-të pas një aksioni të bukur me protagonistë Dani Olmo dhe Lamine Yamal, por ndërhyrja e Dayot Upamecanos pengoi që epërsia të dyfishohej.

Pas 45 minutave lojë në stadiumin e Dallasit, rezultati është:

Francë – Spanjë 0-1

Shënues: Mikel Oyarzabal 22’ (pen.)

Spanja është vetëm 45 minuta larg finales së Kupës së Botës, ndërsa Franca duhet të reagojë në pjesën e dytë për të mbajtur gjallë ëndrrën për titullin e tretë botëror.