Koronavirusi: çast pas çasti

Të lodhur nga izolimi, mijëra spanjollë dolën në rrugët e Madridit

Mijëra protestues dolën në rrugët e Spanjës me nxitjen e partisë së djathtë Vox, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Pedro Sanchez, e cila akuzohet për keqmenaxhimin e krizës së shkaktuar nga përhapja e Covid-19.

Krahu i djathtë Vox, i treti më i madh në parlament, të premten bëri thirrje për protesta masive të veturave, motoçikletave dhe biçikletave.

Në Rrugën Serano, në zemër të Madridit u krijuan kolona të gjata të automjeteve me flamuj spanjoll.

“Qeveria të dorëhiqet!” Protestuesit bërtisnin nëpër dritaret e veturave të hapura. Sipas njoftimeve të mediave spanjolle, më shumë se 6.000 automjete dolën në rrugët e Madridit, shkruan Albinfo.ch.

Zemërimi shpërtheu nga njerëzit e mbyllur në apartamente për më shumë se 60 ditë pasi u rrit numri i vdekjeve nga koronavirusi. Arsyeja e protestave është karantina e gjatë, mungesa e pajisjeve mbrojtëse për punonjësit e shëndetit dhe protestuesit akuzojnë qeverinë se reagoi shumë vonë kur u shfaq virusi në Spanjë.