Shqipëria

Tërmeti i 26 nëntorit do ketë ndikim tek turizmi në Shqipëri,

Pasojat do ndihen për 5 vite

Sektori i turizmit do të vuajë më së shumti pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit.

Raporti për vlerësimin e nevojave pas fatkeqësisë natyrore, vë në dukje se humbjet për këtë sektor do të jenë rreth 73.5 milionë euro, dhe pasojat do të zgjasin 4-5 vjet.

Në raport, humbjet e krijuara nga tërmeti janë ndarë në katër kategori.

Humbjet e qarkullimit për shkak të mbylljes së pjesshme të biznesit si rezultat i dëmtimit të ndërtesave të tyre, të cilat do të vazhdojë derisa ato të riparohen dhe funksionojnë; Humbjet e punësimit; Humbjet e parashikuara për shkak të rënies së vizitorëve të huaj; Humbjet e lidhura me heqjen e mbeturinave. Peshën më të madhe e zë mungesa e të ardhurave nga rënia e vizitorëve të huaj nga ky vit deri në 2022-shin, ku ndjeshmëria më e madhe do të jetë këtë sezon.

Konkretisht vetëm nga rënia e numrit të turistëve në 3 vite, llogaritet që ekonomia të humbasë 61.5 milionë euro.

Ato përfshijnë humbje në akomodimet private, sepse llogariten bazuar në shpenzimin mesatar ditor të një turisti, numri mesatar i ditëve të qëndrimit, dhe numri i përgjithshëm i humbur i vizitorëve për vitet 2020 deri në vitin 2022, raporton scan.

Sa i përket procesit të rimëkëmbjes, nevoja llogaritet në rreth 10.9 milionë euro, nga të cilat 5.6 milionë euro janë nevojat për rindërtim dhe 5.3 milionë euro ato për rikuperim. Durrësi dhe Kavaja janë qytete më të dëmtuara në këtë drejtim, ndër 11 bashki të prekura nga tërmeti.